Tekstet shkollore me cilësi të dobët

Instituti Ed Guard, kërkon nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, që të mos e miratojë botimin e teksteve të reja shkollore.

Kjo për shkak të mungesës së cilësisë që tekstet e reja përmbajnë.

Në një konferencë për media, drejtori i këtij instituti, Rinor Qehaja, tha se kanë evidentuar një sërë mangësish, në procesin e kontrollimit të teksteve të reja shkollore.

Ai tha se këto tekste nuk kanë ndonjë përmirësim nga testet e mëparshme.

“Ministri të mos miratojë botimin e këtyre teksteve. I kemi diku 55 tekste të miratuara dhe 8 të refuzuara. Kjo do të thotë se rreth 88 përqind e teksteve janë aprovuar për botim. Kjo nxit dyshimet tona pasi ka një numër shumë të madh të teksteve të aprovuara”, u shpreh ai.

Valëza Mjeku nga Instituti Ed Guard u shpreh se do të jetë e patolerueshme për të gjithë që tekstet e shumëpritura të mos dallojnë nga tekstet e mëparshme.

“Kërkojmë nga MAShT që të mos ngutet me botimin e këtyre teksteve pa diskutim paraprak për këto tekste”, tha ajo.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.