Skenarët që e bllokojnë heqjen e vizave
Liderët e partive, në kuadër të premtimeve parazgjedhore, kanë filluar premtimet e tyre për heqjen e vizave derisa shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të mos jetë unike për këtë proces. Ekspertët e integrimeve vlerësojnë se zgjedhjet nacionale në Kosovë nuk e pengojnë heqjen e vizave, por që ky proces nuk pritet të jetë në agjendë […]
Foto: Ilustrim
Liderët e partive, në kuadër të premtimeve parazgjedhore, kanë filluar premtimet e tyre për heqjen e vizave derisa shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të mos jetë unike për këtë proces. Ekspertët e integrimeve vlerësojnë se zgjedhjet nacionale në Kosovë nuk e pengojnë heqjen e vizave, por që ky proces nuk pritet të jetë në agjendë të BE-së së paku deri në vitin 2020.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Arben Fetoshi për “Zërin” ka deklaruar se heqja e vizave për Kosovën është shndërruar në një temë politike brenda organeve të BE-së, kësisoj epilogu i dialogut mes Kosovës e Serbisë është faktori kryesor që përcakton nëse ky proces do të ecë para ose do të mbetet i bllokuar.
“Nuk mendoj se mund të konstatojmë përçarje të shteteve anëtare për liberalizimin e Kosovës, por siç e kam thënë, besoj se fjala është për vendosjen e kësaj teme në kontekst politik, duke marrë parasysh procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, së cilës në fakt i ka ndihmuar edhe neglizhenca e institucioneve për një rezultat më të madh në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Prandaj edhe në përfundim të mandatit të saj Mogherini deklaron se është koha të merret vendimi”, ka thënë Fetoshi.
Sipas tij, një organizimi i mirëfilltë i një procesi zgjedhor në Kosovë mund të ndikojë që të ketë lëvizje pozitive nga ana e shteteve të BE-së në raport me vizat. “Cilësia e procesit zgjedhor dhe cilësia e procesit për formimin e qeverisë së re do të ndikojë në përgjigjen e BE-së lidhur me vizat. Pra, një proces i vlerësuar me zgjedhje të lira e demokratike dhe një angazhim i forcave politike për një qeveri të re pa tensione të mëdha e humbje kohe, duke i dhënë drejtim pa vonesa dialogut me Serbinë mendoj se do ta siguronte vullnetin e nevojshëm të BE-së për heqjen e vizave ndaj Kosovës”, ka shtuar ai.
Kurse njohësi i çështjeve integruese Armend Muja për “Zërin” ka thënë se shteti i Gjermanisë vazhdon të përkrahë heqjen e vizave për Kosovën, mirëpo të njëjtin mendim me Gjermaninë nuk e ndajnë Franca dhe Holanda. Heqja e vizave, sipas Mujës, mund të ndodhë vetëm kur Franca t’i thotë “Po” këtij procesi.