Siguria e ulët në vendet e punës

I riu Visar Behrami, nga Suhodolli i Mitrovicës është rasti më i fundit i vdekjes në vendin e punës. Nëna e tij, Azeminja, në ditën e varrimit të të birit, zemër thyer, tha se djali i saj po punonte në kushte jo të mira.

Vdekjet në vendin e punës e siguria e ulët në vendpunishte, janë probleme me të cilat po vazhdojnë të përballen punëtorët kosovarë.

Në Inspektoratin e Punës thonë se ndonëse ka përmirësime, është shqetësuese numri i vdekjeve e lëndimeve në vendin e punës. Ata bëjnë të ditur se, nga janari, tre persona kanë humbur jetën e 22 janë lënduar, në vendin e punës, transmeton RTK.

 “As s’ka pas sigurim as gjë në dyja, gjë të gjallë. Ka 10 euro e ka paguar. Dy euro memzi ja ka nxjerrë, i ka thanë mi  jap dy euro për një paqetë cigare e 10 për familje”. 

Kështu i përshkroi kushtet e punë së të birit, Azemine Behrami, djali i të cilës vdiq të hënën e 22 prillit, nën rrënojat e ish hotel Adriatikut.

Në shkurt të këtij viti, në vendin e tij të punës, vdiq edhe Krenar Jemini, 22 vjeçar nga Mushtishti i Suharekës. Për këtë rast, kompania “Lab- Oil”, është gjobitur nga Inspektorati i Punës me 9 mijë e 500 euro.

Kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi, tha se ndonëse vdekjet në punë janë më të pakta, krahasuar me vitin e kaluar, këto raste janë shqetësim i madh. Edhe një rast i vetëm i vdekjes në vendin e punës, për ne është shumë.

Ne këtë vit i kemi të raportuara tre raste të vdekjes në vendin e punës dhe 22 lëndime. Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, sigurisht se gjendja është më e mirë, në bazë të statistikave. Por, a jemi të kënaqur me këtë? Fare nuk jemi të kënaqur”, tha ai.

Në lidhje me vdekjen e të riut nga Mitrovica, kryeinspektori Ibrahimi, tha se inspektorët kanë reaguar me kohë dhe do të veprojnë sipas ligjit.

 “Inspektori i punës ka qenë në teren dhe natyrisht, tash, në ditët në vijim na vjen edhe raporti zyrtar. Inspektorati i punës e ka për obligim, me e shikuar se a ka pas të ndërmarra veprimet e duhura nga siguria dhe shëndeti në punë. Dhe, nëse nuk kanë qenë të ndërmarra këto masa, ne natyrisht, do të shqiptojmë gjobën”, pohoi Ibrahimi.

Kryeinspektori i Punës, tha për Radio Kosovën se kanë vetëm 40 inspektor, e kjo sipas Ibrahimit ka bërë që, vitin e kaluar, inspektohen rreth 10 mijë biznese, nga mbi 85 mijë sosh.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.