Protestojnë punëtorët e Lotarisë së Kosovës

Pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Seancën e mbajtur me 28.03.2019 ku janë përfshirë edhe lojërat e lotarisë, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj.

Nga ajo kohë e deri më sot nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar.

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës përmes një reagimi për media shprehen të shqetësuar dhe të indinjuar me këtë siç e quajnë ata, neglizhencë të institucioneve përkatëse për çka pakënaqësinë e tyre do ta shprehin edhe me anë të protestave, shkruan Gazeta “Zëri”.

Protesta do të mbahet të hënën me datë 01 korrik 2019 në ora 11:00 para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë të miratimit të ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe përmbushjen e obligimeve nga ana e Qeverisë si pronare e Lotarisë së Kosovës.

“Protesta e paralajmëruar është e para dhe do të vazhdohet të protestohet deri në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve të Lotarisë së Kosovë”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Lotarisë së Kosovës.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.