Përgjimet e kundërligjshme të autoriteteve të Kosovës

para 11 dite

Në vitin 2015 Kosova miratoi Ligjin për përgjimet elektronike, mirëpo një hulumtim i Kallxo.com konstaton situata në të cilat institucionet shkelën ligjin dhe përgjuan qytetarët jashtë rregullave.

Përgjimet e kundërligjshme të autoriteteve të Kosovës Foto: Ilustrim

Dëshmi të nxjerra nga proceset gjyqësore në Kosovë tregojnë se gjykata në disa raste i shpalli të kundërligjshme përgjimet e prokurorisë, ndërsa kjo e fundit vazhdon të mbajë sekret numrin e njerëzve të përgjuar.

Murat Mehmeti, inspektor i tatimeve në Kosovë, ishte përgjuar për disa muaj me radhë nga Prokuroria Speciale. Përgjimet e kishin nxjerrë të pafajshëm Mehmetin, mirëpo prokurori që po e hetonte rastin nuk u kujdes ta njoftonte Mehmetin që telefoni i tij ishte përgjuar.

Sipas nenit 94 të Kodit të procedurës penale, prokuroria obligohet t`i njoftojë me shkrim secilin qytetar që ka qenë nën përgjime dhe rasti është mbyllur. Por ky standard nuk u respektua ndaj inspektorit Mehmeti, i cili tash e disa vite kërkon llogari për këtë çështje.

“Kam qenë nën përgjime gjatë vitit 2016 nga Prokuroria Speciale në rastin e lojërave të fatit, ku ka qenë i dyshuar mes të tjerëve edhe Skender Feta”- ka treguar Murat Mehmeti përmes telefonit më datë 25.06.2024.

Rasti ishte udhëhequr nga prokurori Haki Gecaj dhe në fund të hetimeve prokurori nuk e njoftoi Mehmetin për rezultatet e hetimit.

“Askush nuk më ka njoftuar [që kam qenë nën përgjime], prokurori kur i ka pushu hetimet është dashtë me lëshu një aktvendim dhe përgjimet është dashtë të shkatërrohen në prezencë timen gjithashtu është dashtë të njoftohem për të drejtat e mia, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur” – ka rrëfyer inspektori i ATK-së Murat Mehmeti.

Prokurori Gecaj tani është në pension, mirëpo atij i kujtohet takimi me Mehmetin kur ai kishte kërkuar llogari për mos njoftimin për fatin e përgjimeve.

“Në atë kohë ndoshta nuk është bërë njoftimi, jo nuk besoj që është bërë, sepse në vitin 2016 është bërë kjo punë. Nuk më kujtohet që e kam njoftu. Ndoshta nuk janë respektu atëherë në tanësi ato dispozita se ka qenë fillimi i këtij ligji. Mirëpo ai [Murat Mehmeti]  nuk ka pasur kurrfarë pasoja. Ai e ka pasë njëfarë pengu me policë se ka mendu që ju ka bo diçka me qëllim. Edhe unë ja kom shpjegu atij, por ai ka insistuar që ka pasë diçka me qëllim, prej meje absolutisht jo nuk kam pasë kurrfarë arsyesh. Por kam dyshu që po bashkëpunon me disa të ATK-së, se kohë e gjatë kam harru”- ka thënë Haki Gecaj.

Mehmeti tash ka nisur një betejë ligjore për të kërkuar llogari nga Prokuroria Speciale. Këta të fundit nuk kanë pranuar që të flasin për këtë çështje me arsyetimin se për çështjen është përgjigjur prokurori.

“Njoftimi i personit se ka qenë i përgjuar, është një masë kundër-balancuese për shkeljen e të drejtës në privatësi nga organet shtetërore, sepse në rastet kur urdhërohet përgjimi pa bazë faktike, shteti duhet të kompensoj materialisht personin e përgjuar, për shkak të shkeljes se të drejtës në privatësi”– shpjegon avokati Artan Çerkini.

Kallxo.com tentoi të siguronte të dhëna nga Prokuroria e Shtetit për numrin e njoftimeve që janë bërë në këtë format. Të gjitha prokuroritë në rang vendi refuzuan të japin të dhëna të cilat dëshmojnë se ky standard u zbatua.

U.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi thotë se i shkatërrojnë përgjimet e kryera në mënyrë të ligjshme pasi ato nuk u shërbejnë më hetimeve.

“Në çdo rast, të njëjtat të dhëna, të cilat janë siguruar përmes përgjimeve të ligjshme e të cilat nuk kanë relevancë, pra janë të panevojshme për çështjet hetimore penale konkrete, të njëjtat shkatërrohen pasi që nuk i shërbejnë më hetimeve të tilla”- ka thënë përmes e-mail-it u.d. i Kryeprokurorit, Besim Kelmendi, më 03.07.2024.

Kallxo.com kërkoi të dhëna nga prokuroritë themelore për numrin e njoftimeve për palët e përgjuara, mirëpo asnjëra nga to nuk ofruan të dhëna për numrin e njoftimeve për qytetarët.

Prokuroritë treguan për shkatërrimin e përgjimeve të cilat sipas tyre realizohen sipas ligjit.

Kryeprokurori i Mitrovicës thotë se nuk kanë ndonjë praktikë konkrete rreth shkatërrimit të përgjimeve.

“Prokurorët veprojnë sipas ligjit, e njoftojnë palën që ka qenë nën përgjime në rast se nuk ngritet aktakuza. [Kurse kur ka aktakuzë] deri sa të bëhet e plotfuqishme lënda, me të thënë të drejtën njëfarë praktike konkrete [rreth shkatërrimit të përgjimeve të ligjshme] nuk ka pasë”- ka thënë kryeprokurori i Mitrovicës Ismet Ujkani përmes telefonit më 03.07.2024.

Nga Policia e Kosovës thonë se shkatërrimi i të dhënave të mbledhura gjatë zbatimit të masave të veçanta bëhet çdo vit.

“Ju njoftojmë se duke u mbështetur në Ligjin për Përgjime Elektronike dhe Udhëzimin Administrativ, për çdo vit bëhet shkatërrimi i të gjitha të dhënave të mbledhura gjatë zbatimit të masave të veçanta”- thuhet në përgjigjen me e-mail të Zyrës së Informimit të Policisë së Kosovë, më 04.07.2024.

“Hera e fundit që është bërë shkatërrimi është muaji mars 2024, kurse nga viti 2020 shkatërrimi i të dhënave është bërë katër herë”- kanë shtuar ata.

Përgjimet jashtë rregullave ligjore

Procedura e përgjimit të qytetarëve është një procedurë rigoroze e cila i nënshtrohet kontrollit ligjor. Monitoruesit e gjykatave në disa raste kanë konstatuar situata në të cilat përgjimet e prokurorisë janë shpallur të kundërligjshme nga gjykata.

Avokati Artan Çerkini thotë se ka pasur raste kur bazuar në kërkesat e tij janë përjashtuar përgjimet si prova nga gjykata.

“Kam pas raste gjatë punës time që bazuar në kërkesat për papranueshmëri të provave gjykata ka vendosur të përjashtojë përgjimet si provë për arsye se: a) Gjykata nuk ka arsyetuar urdhrin se pse përgjimi është e vetmja mënyrë për arritjen e provës, b) Përgjimet janë realizuar pa aktvendim për fillimin e hetimeve dhe c) Përgjimet janë realizuar pas skadimit të afatit për të cilin janë lëshuar”– i ka thënë avokati Artan Çerkini Kallxo.com më 19.06.2024.

Prokuroria e Pejës ka konfirmuar se kanë pasur një rast prej vitit 2020 kur prova e siguruar përmes përgjimeve është shpallur e papranueshme.

“Një rast në vitin 2021 prova e siguruar përmes masave të veçanta hetimore është shpallur e papranueshme nga ana e Gjykatës”– ka konfirmuar përmes e-mailit zëdhënësi i prokurorisë Shkodran Nikçi, më 03.07.2024.

Kallxo ka identifikuar disa prej rasteve të mëdha në të cilat përgjimet e prokurorisë u shpallën të pavlefshme nga ana e gjykatës.

Rasti i parë njihet si rasti kundër ish sekretarit të KPK-së Lavdim Krasniqi. Në këtë rast gjykata e shpalli të papranueshëm një përgjim të prokurorisë me arsyetimin se ishte bërë jashtë rregullave ligjore.

Kjo provë – CD – konsiderohej nga organi i akuzës një provë kruciale e rastit pasi që pretendonte se përmbante një video-incizim të një takimi të Lavdim Krasniqit me një dëshmitar bashkëpunues të Prokurorisë, mirëpo është shpallur e papranueshme për arsye se është nxjerrë në kundërshtim me përcaktimet e Kodit të Procedurës Penale. Në shpjegimet e gjykatës për mospranimin e kësaj prove ishte fakti se gjykata urdhëroi përgjimin pa e ditur emrin e personit të përgjuar.

Në një rast tjetër tre të akuzuar për fajde u liruan nga aktakuza.

Prokurorja Besa Limani në këtë seancë kishte deklaruar se, nga transkriptimet e masave të fshehta të përgjimit te telekomunikimeve të cilat janë realizuar nga bisedat e të dëmtuarit me të akuzuarit, do të vërtetohet se këta të fundit i kanë dhënë para me fajde të dëmtuarit.

Në aktgjykimin i cili i liroi nga fajësia të pandehurit, potencohet se përgjimet janë shpallur prova të papranueshme, për shkak se të njëjtat janë nxjerrë para se të merret Aktvendimi për fillimin e hetimeve.

Provat e siguruara me masa të fshehta teknike ishin shpallur të papranueshme edhe në gjykimin tjetër për fajde. Më datë 05.07.2024 gjykata vendosu që t`i liroj dy të akuzuar me arsyetimin se vëzhgimi i tyre ishte bërë në kundërshtim me procedurat ligjore.

Provat e mbledhura me përgjime u shpallën të pavlefshme edhe në procesin gjyqësor ndaj një grupi policësh të akuzuar për korrupsion në Mitrovicë. Gjykata konstatoi se përgjimet ishin në kundërshtim me ligjin.

Palët që janë përgjuar në kundërshtim me ligjin kanë të drejtë në kompensim, mirëpo gjykatat e Kosovës nuk kanë një databazë e cila identifikon numrin e padive të kësaj natyre. Mirëpo disa nga gjykatat kanë konfirmuar se kanë raste të hapura të kësaj natyre.

Gjykata e Prizrenit ka evidentuar një aktgjykim i cili ka refuzuar një kërkesë të tillë, por që ndaj të njëjtit është ushtruar ankesë dhe nga data 22.06.2023 është në Gjykatën e Apelit.