Një vit i rëndë për arsimin

Viti shkollor 2018/2019 në Kosovë është përmbyllur me probleme të shumta dhe përplasje ndërmjet mësimdhënësve, Sindikatës së Arsimit dhe institucioneve arsimore në Kosovë. Ekspertë të çështjeve të arsimit thonë se kjo situatë e krijuar në këtë vit shkollor, pati efekte negative.

Revolta e mësimdhënësve nisi në janarin e këtij viti, kur ata përmes grevave kërkuan që koeficienti i pagës të rritet në një nivel “dinjitoz”, ndërkohë që krerët e shtetit i kishin dyfishuar pagat e tyre pavarësisht obligimeve parazgjedhore që kishin marrë në raport me mësimdhënësit. Orët e humbura nga greva prej tri javësh e mësimdhënësve, nuk u kompensuan asnjëherë, edhe pas kërkesës së vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që këto orë të zëvendësohen.

Ndërkohë, mësimdhënësve me Ligjin e ri për paga, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës, iu realizua kërkesa për ngritje të koeficientit të pagës për rreth 30 për qind.

Dukagjin Pupovci, drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se një situatë e tillë çfarë u krijua në këtë vit shkollor, nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

“Ishte e mirë që mësimdhënësit ngritën koeficientin, por këtu filloi edhe një episod, i cili vështirë të kuptohet, pasi që edhe përkundër faktit që SBASHK-u shënoi fitore në këtë betejë sindikale dhe pritej të zëvendësoheshin orët, ata nuk i zëvendësuan edhe përkundër asaj që ky vendim u konfirmua edhe nga Gjykata”, tha ai.

Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës një ditë më parë është zhvilluar një seancë e jashtëzakonshme për gjendjen në arsimin në Kosovë. Seanca ishte thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e së cilës kanë kritikuar institucionet arsimore për një gjendje të rëndë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, mungesës së organizimit të mirë dhe për shkak të ndërhyrjeve politike./REL/

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.