Çlirim Gashi
01.04.2019, 21:47

“Let’s do it” Kosova po ndotet, mos e lejoni

Organizata “Let’s Do It” shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ndotjen e sërishme të deponive ilegale dhe hapësirave publike, të cilat janë pastruar gjatë Fushatës tre mujore “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Në reagimin e “Let’s Do It” thuhet se me ardhjen e stinës së pranverës kjo dukuri është shndërruar në shqetësuese, bazuar në dhjetëra ankesa që po pranojmë në baza ditore nga qytetarë të shumtë, të cilët po dëshmojnë me fotografi ndotjen që po u bëhet këtyre hapësirave nga kompani dhe qytetarë të pandërgjegjshëm.

“’Let’s Do It’ ju njofton se të gjitha ankesat që po i pranojmë nga qytetarët po i adresojmë tek institucionet përgjegjëse, të cilat kanë filluar të marrin masa duke i gjobitur ndotësit, bazuar në Udhëzimin Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore”, raporton RTK.

Kjo organizatë kërkon urgjentisht nga institucionet përgjegjëse, siç janë Inspektorati dhe Policia, që të ndërmarrin masa të menjëhershme në të gjitha qytetet e Kosovës, për të parandaluar ndotjen e sërishme të deponive, hapësirave publike dhe brezeve rrugore të pastruara gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

“Gjatë Fushatës ‘Ta Pastrojmë Kosovën’, e cila është koordinuar nga ‘Let’s Do It’ janë pastruar mbi 900 deponi ilegale të mbeturinave, me mbetje nga më të ndryshmet. Falë kësaj fushate, ka pasur deponi të mëdha nëpër komuna, të cilat nuk janë pastruar që nga paslufta, e që janë shndërruar në zona të gjelbëruara dhe totalisht të pastra. Andaj është për keqardhje që vetëm disa muaj më vonë, të njëjtat hapësira të ndoten sërish”.

“Tani që Kosova do të jetë shteti që do të koordinojë Ditën e Pastrimit të Botës për vitet 2019 dhe 2020 në më shumë se 150 shtete të ndryshme të botës, është momenti ideal që të japim shembullin më të mirë në botë për mbrojtje të mjedisit, kundër ndotjes”, thuhet në reagim.

“’Let’s Do It’ edhe njëherë ju bën thirrje edhe qytetarëve që të sillen më miqësisht me mjedisin dhe mos t’i ndotin hapësirat e pastruara, për hir të së mirës së përbashkët. Përndryshe, përgjegjësit për shpërndarjen e gjobave do të jenë të pamëshirshëm ndaj ndotësve. Vetëdijësimi juaj për rëndësinë e mbajtjes pastër të ambientit është kyç për një Kosovë të pastër”.

Ditëve në vijim ‘Let’s Do It’ në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, do të iniciojë tryeza dhe takime me akterë përgjegjës, siç janë inspektorët dhe zyrtarë policor, me qëllim të diskutimit dhe gjetjes së zgjidhjeve për problematikat me të cilat po përballen në terren, gjatë shqiptimit të gjobave për ndotësit e mjedisit.

Gjithashtu ‘Let’s Do It’ do të vazhdojë me monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore, por kërkojmë edhe nga organet komunale që të jenë më të vëmendshme karshi gjendjes së mjedisit në komunat e tyre.