[Laptopi i Asambleistit] Bytyqi: Laptopi im do të përfundojë tek njëri nga ish-nxënësit e mi

Komuna e Suharekës siç duket nuk ka hequr dorë për blerjen e 32 laptopëve për delegatët e asamblesë komunale.

Ditë më parë SuharekaOnline kishte raportuar për hapjen e këtij tenderit. Në një përgjigje për portalin po në të njëjtën ditë asambleisti nga radhët e LDK-së, Bashkim Ndrecaj ishte përgjigjur se laptopin do ta pranoj dhe se do ta dhuroj për shkollën fillore “Besim Ndreca” në Maqitevë.

Përgjigje më skeptike ka shefi i grupit të AAK-së, Aziz Bytyqi. I pyetur nga redaksia lidhur me qëndrimin zyrtar të partisë së tij e cila edhe qeverisë me Suharekën, Bytyqi është shprehur se nuk mund të përgjigjet sepse sipas tij asnjëherë nuk është diskutuar kjo temë brenda grupit.

Por personalisht si delegatë Aziz Bytyqi mendon se laptopët edhe mund të jenë të nevojshëm, sepse ka raste kur materialet janë shumë voluminoze mbi 100 faqe dhe kopjet fizike krijojnë shpenzime, pastaj këto laptopë do të mundësonin që mos të dërgohet materiali tek vendbanimet e anëtareve të kuvendit, por vetëm në formë elektronike edhe kjo krijon kursim besoj.

Më tutje Bytyqi tha se asnjëherë si asamble nuk është diskutuar zyrtarisht për këtë çështje dhe për pasojë as nuk kemi marrë vendim. Sipas tij këtë çështje e ka pa të arsyeshme administrata e kuvendit. I pyetur nëse ka laptop personal dhe si do të veprojë nëse komuna e pajisë me laptop a do ta dhurojë për ndonjë student me kushte të rënda ekonomike, ndonjë shkollë apo ndonjë shoqatë Bytyqi është shprehur se nuk e ka menduar di dhe nesë e dhuron nuk do të bëjë reklamë të kotë për këtë gjë.

Por pas insistimit të redaksisë për destinimin final të laptopit shefi i grupit të AAK-së tha se gjëja e parë që më shkon në mendje janë ish nxënësit e mi që tani janë student. Sigurisht laptopi do të përfundoj tek njëri nga ata/ato.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.