Kurti: Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar

05.05.2022

Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, deklaron se Dëshmorët janë shkruesit, aktorët dhe publiku i të gjitha akteve të dramave të historisë së kombit shqiptar, ka shkruar. “Janë ata, që idealet e lirisë dhe dashurisë për atdheun, i trupëzuan në qenien e tyre. Ata janë njëshat e dalë nga shumësia jonë, që mendimet […]

Kurti: Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar Foto: Ilustrim

Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, deklaron se Dëshmorët janë shkruesit, aktorët dhe publiku i të gjitha akteve të dramave të historisë së kombit shqiptar, ka shkruar.

“Janë ata, që idealet e lirisë dhe dashurisë për atdheun, i trupëzuan në qenien e tyre. Ata janë njëshat e dalë nga shumësia jonë, që mendimet dhe bindjet politike, i përkthyen në veprime dhe betejë. Janë ata që me jetën e tyre, mundësuan lirinë si kusht dhe dinjitetin si atribut të jetëve tona. Ata janë dëshmorët e kombit! 5 maji, është dita e të gjithë dëshmorëve të rënë kurdo dhe kudo për lirinë e popullit shqiptar”, tha ai.

Kurti thotë se Dëshmorët janë dëshmitarët aktivë të secilit hap të bërë prej paraardhësve, prej nesh dhe prej pasardhësve tanë, në udhëtimin tonë të përbashkët që kurrë nuk përfundon, të quajtur histori.

“5 maji është dita e përkujtimit të veprës së tyre, kurse liria jonë, është vetë kjo vepër, e jetuar si gjendje prej të gjallëve të secilit brez, të shkuar, të tashëm dhe atyre që do të vijnë. Ata janë emra të përveçëm, të rënë në grup apo individualisht, në rrugë dhe kohëra të ndryshme, që shkojnë e shkrihen në një vorbull që përmbledhë të gjitha lëvizjet e shqiptarëve për liri. Dhe të gjithë këta emra individësh, kanë një emër të përbashkët, emërtuesin e tejkohshëm të dëshmorit të kombit”,shkruan Kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se varret e tyre janë të shpërndarë nëpër të gjitha tokat shqiptare, por fryma e tyre përbashkohet në panteonin e kudondodhur të lirisë tonë. Trupat e dëshmorëve, janë relike sakrale të besimit më profan të historisë, besimit te liria. Vendet ku ata kanë rënë, janë shenja orientuese në rrugën tonë të traditës si mënyrë e të jetuarit dhe të historisë si praktikë e vetërealizimit të qenies tonë politike. Përkujtimi i dëshmorëve është i anasjelltë, sepse duke përkujtuar veprimtarinë e tyre, ne ia përkujtojmë vetes në kujtesën tonë kolektive rrugën e kësaj vepre, atë rrugë që pavarësisht kahjeve që zgjedhim a drejtimeve që ndjekim, nuk duhet lëshuar asnjëherë.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar dhe qoftë i bekuar secili që mirëmban veprën e tyre!”, kështu e ka përfunduar shkrimin e tij Kurti.