Koalicioni Dështon marrëveshja LVV – LDK, Kosova në krizë politike

Sot mbahet seanca konstituive të Legjislaturës së shtatë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Konform vendimit të presidentit, edhe kryesia e Kuvendit konfirmoi se seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet prej orës 15:00.

Në përbërjen e re parlamentare do të jenë të përfaqësuara 14 subjekte politike.

Seanca do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, përkatësisht Jahja Koka, shoqëruar nga deputeti më i ri, në rastin konkret, deputetja Fjolla Ujkani, që të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët sa i përket marrëveshjes për formimin e qeverisë së re.

Rrjedhimisht, këto dy subjekte do të shkojnë në seancën e sotme konstituive, e cila do të fillojë në orën 15:00, pa një dakordim paraprak për bërjen e institucioneve të reja, shkruan sot gazeta Zëri.

Seanca e sotme për konstituimin e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës pritet të nisë pa pasur një marrëveshje paraprake për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka njoftuar mbrëmë se nuk kanë arritur të merren vesh me LDK-në. Kurti me këtë rast ka bërë të ditur se partia që ai drejton i ka bërë një ofertë LDK-së, por ajo është refuzuar.

Në këtë ofertë, siç ai ka njoftuar, është kërkuar që çështja e presidentit të lihet për t’u diskutuar më vonë. Mirëpo, nëse partia e Isa Mustafës insiston në këtë post, Vetëvendosjes sipas kreut të LVV-së duhet t’i shtohet edhe një ministri, respektivisht ajo e Punëve të Brendshme. Ndërkaq LDK-ja edhe gjatë ditës së djeshme ka përsëritur kërkesën e njëjtë, se këtij subjekti duhet t’i takojë pozita e presidentit.

Ndryshe sot në këtë seancë do të jenë tri pika të rendit të ditës, pikë e parë e seancës do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve. Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Po ashtu janë përcaktuar edhe ulëset për grupet parlamentare.

Kështu, konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar që është Vetëvendosje do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë e që është LDK në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë që është PDK në anën e majtë të kryesuesit.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.