BQK shtyn afatin e kësteve të kredive

Duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të përhapjes së infeksionit Covid-19, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ditë më parë ka vendosur për shtyrjen e afatit për pagesat e kësteve të kredive.

Por qytetarët ankohen se kjo po u kushton me kamatë. Këtë e pohon për Radio Kosovën një kliente e Bankës për Biznes. E zyrtarë të  kësaj banke mohojnë një gjë të tillë, përderisa zyrtarë të Bankës Qendrore, ftojnë qytetarët që për çdo parregullsi t’i drejtohen BQK-së.
Pagesa e kësteve të kredive në kohë pandemie është bërë një shqetësim për shumë individë dhe biznese në Kosovë. Një kliente e Bankës për Biznes thotë për Radio Kosovën, se për shtyrje të afatit, banka e ka ngarkuar me kamatë. Ajo shpjegon rastin se si ka ndodhur.

“Më tha: kështu është aprovuar, duhet t’i paguash 379 euro kamatë për tre muaj të kredisë që se ke paguar. T’i kisha kushtet unë e kisha paguar kredinë e jo kamatën.

Më tha: kamatat janë për tre muaj që si ke paguar, plus në fund e kanë bërë shtyrjen e kredisë dhe në fund këstin e njëjtë unë e paguaj. Edhe atëherë ka kamatë edhe tash ka kamatë, dy herë po më bie ta paguaj kamatën”.
Por, këtë e mohojnë zyrtarë të Bankës për Biznes. Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, Shërbimi për Klient i kësaj banke, thekson se Banka për Biznes nuk ka aplikuar dhe nuk do të aplikojë interesa ndëshkuese për kreditë që në marrëveshje me klientin është shtyrë afati i pagesës së kësteve për tre muaj. BPB operon në pajtueshmëri të plotë me direktivat e dhëna nga BQK për sa i përket kredive gjatë pandemisë, thuhet në përgjigjeje.

LEXO EDHE:  Kosova me 1678 raste aktive, 1946 të shëruar dhe 79 të vdekur nga COVID-19

Ndërkohë, zyrtarë të BQK ishin zotuar se nuk do të ketë kamatë për këtë shtyrje të afatit. Në një përgjigjeje me shkrim për Radio Kosovën, zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, fton qytetarët të cilët përballen me këtë situatë, të drejtohen në BQK. Ai thotë se pavarësisht situatës me Covid-19, BQK-ja trajton çdo ankesë të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare dhe vepron bazuar në legjislacionin në fuqi, përfshirë edhe marrjen e masave administrative.

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës për shkak të pandemisë Covid-19 dhe ndikimit të saj në aspektin ekonomik, kishte marrë vendim që për tre muaj të shtyhen pagesat e kësteve të kredive për të gjithë klientët e bankave.