Bëhet thirrje për mos ndezjen e gomave për 1 Maj

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Maj, apelon tek qytetarët që të mos përsërisin praktikën e ndezjes së gomave dhe gjësendeve tjera që ndotin mjedisin.

Ministri Matoshi ka kërkuar zyrtarisht nga komunat dhe Policia e Republikës së Kosovës që të ndërmarrin masa për parandalimin e dukurive të tilla negative dhe ndaj personave të cilat veprojnë në kundërshtim me rregullat të shqiptohen masat ndëshkuese konform Udhëzimit Administrativ Nr.06/2018 për Ndëshkimet me Gjobat Mandatore dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, paralajmëron ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma. Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësisht djegien e gomave. Po ashtu edhe Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore ndalon rreptësisht djegien e gomave, gjegjësisht dënimi për djegie të gomave është 100 euro.

Ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dioksinën dhe materie tjera të rrezikshme që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.Ndezja e zjarreve të tilla, bartë me vete pasoja të mëdha për mjedisin.

Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për mjedisin, shëndetin dhe për imazhin e Republikës së Kosovës.Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor paralajmëron dënimin e të gjithë atyre që ndezin goma me rastin e kësaj dite, si në çdo ditë tjetër.Të bashkangjitur keni shkresat zyrtare që ministri Matoshi iu ka dërguar Komunave dhe Policisë së Kosovës.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.