Lojërat e fatit, policia dhe peticioni!

19.03.2019

Rasti i fundit i vrasjes së 32 vjeçarit nga Mushtishti i cili ishte punëtor në një kazino në periferi të Komunës së Suharekës, ka tronditur të gjithë banorët. I dyshuar kryesor deri më tani është një rreshter i Policisë së Kosovës, të cilit sot Gjykata Themelore i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji. […]

Lojërat e fatit, policia dhe peticioni! Foto: Ilustrim

Rasti i fundit i vrasjes së 32 vjeçarit nga Mushtishti i cili ishte punëtor në një kazino në periferi të Komunës së Suharekës, ka tronditur të gjithë banorët.

I dyshuar kryesor deri më tani është një rreshter i Policisë së Kosovës, të cilit sot Gjykata Themelore i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji. Reagimet për vrasjen e 32 vjeçarit kanë qenë nga më të ndryshme si nga ana e qytetarëve gjithashtu edhe nga institucionet.

E në grupin e këtyre të fundit bënë pjesë edhe Komuna e Suharekës ku sot gjatë ditës njëzëri, kryetari, pozitë dhe opozitë kanë njoftuar që së shpejti do të organizojnë një peticion prej 10 mijë nënshkrimesh me të cilin do ti drejtohen deputetëve të Kuvendit të Kosovës për mbylljen e lojërave të fatit në Komunën e Suharekës.

Andaj do të shtrojmë temat: Lojërat e fatit, policia dhe peticioni, për të cilat do shqyrtojmë se cili është ndikimi në shoqëri i lojërave të fatit, policia si institucion i sigurisë apo “mosbesues” për qytetarët dhe peticioni si mjet ligjor në vendin e duhur apo në vesh të shurdhër.

Lojërat e fatit

Sipas ligjit nr.04/L – 080 për lojërat e fatit të nxjerrur nga Kuvendi i Kosovës i cili rregullon mënyrën e organizimit dhe funksionimit të lojërave të fatit, licencimin e subjekteve dhe regjistrimin e punonjësve të lojërave të fatit, themelimin e autoritetit të lojërave të fatit dhe mbikëqyrjen e tyre thuhet se: Licenca për kazino kërkohet për çdo person që ushtron veprimtari,
drejton, ose ekspozon për çdo lloj loje të kazinosë, ose merr direkt ose indirekt, një kompensim ose shpërblim ose ndonjë përqindje ose pjesë parash ose pasurie që luhet për të mbajtur, drejtuar, vazhduar një lojë në kazino. Lojërat e kazinosë dhe mjetet e lojërave të kazinosë do të blihen ose sigurohen vetëm nga persona të miratuar dhe të licencuar nga ATK-ja.

Sipas nenit 58 të po të njëjtit ligj për të hapur dhe për tu licencuar për një biznes që veprimtari i ka lojërat e fatit lartësia e kapitalit themelues të subjekteve ekonomike të organizuara si kompani, korporata etj, nuk mund të jetë më e ulët se dy milion euro (2,000,000.00) € dhe se shuma monetare e rezervës fillestare të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se dy milion euro (2,000,000.00) €.

Ndërsa sipas nenit 60 paragrafi 1.7 për ushtrimin e lojërave në kazino, subjekti ekonomik (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar ose shoqëri aksionare) nga disa kushte njëri është se duhet të mos gjendet në afërsi të drejtpërdrejtë, më së paku 1,5 km, të objekteve edukativearsimore, të institucioneve historike, fetare dhe të pronës komunale.

Të prekur nga sëmundja e pasionit. Kështu i kanë cilësuar sociologët, të gjithë ata persona, të cilët kanë varësi nga lojërat e fatit. Janë me mijëra qytetarë, të cilët vërtiten rreth këtyre lojërave, me shpresën se do të gjejnë fatin e tyre. Por, më së shumti, pritja e tyre kthehet në një grackë të madhe ekonomike dhe sociale, që rëndon direkt në familjet e tyre. “Një pjesë prej tyre kanë pësuar dëme të pariparueshme, kanë gjetur vdekjen përmes vetëvrasjes, sepse nuk u kanë dhënë dot përgjigje grackave ku janë futur. Një pjesë e tyre futen në konflikte të pazgjidhshme, sepse kanë borxhe. Pasioni i lojërave të fatit është shumë i keq, pasi hyn dhe nuk del dot. Qindra familje të divorcuara, pasi bashkëshortët kanë lënë çdo pasuri të familjes peng në këto lojëra fati, duke rrezikuar të ardhmen e fëmijëve të tyre. “Këta individë, që janë të pasionuar pas lojërave të fatit në përgjithësi, janë destruktivë në familje. Familjet e tyre janë qendra të dhunës mbi gratë dhe fëmijët. Një pjesë e madhe e kryefamiljarëve që merren me bixhoz, sjellin varfëri në familjet e tyre.

Policia

Policia e Kosovës, është organ publik i themeluar në bazë të ligjit, ku si detyrë primare në tërsi dhe e çdo polici është mbrojtja e popullit të Kosovës dhe pasurisë përmes zbatimit të ligjeve, kryesore ndër to është zbatimi i standardeve ndërkombëtare të qeverisjes demokratike.

Detyrë e parë e policit si zbatues i ligjit është që të njohë kufijtë e shtrirjes së autorizimit të tij gjatë zbatimit të ligjit. Polici e përfaqëson vullnetin e lirë të një komuniteti, policët duhet të jenë të vetëdijshëm për kufizimet dhe ndalesat që komuniteti përmes aplikimit të ligjit ia ka besuar. Polici duhet të ketë të qartë se sistemi demokratik i qeverisë nuk i jep fuqi absolute veprimi asnjë personi, grupi njerëzish ose institucionit dhe duhet të kujdeset që si mbrojtës kryesor, i këtij sistemi, të mos lejojë askënd ta çoroditë karakterin e tyre.

Zyrtari policor gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, sjelljes në jetën private duhet të mbrojë, ruajë dhe ta kultivojë autoritetin e policisë. Gjatë kryerjes së detyrës zyrtare paraqitja e tyre duhet të jetë shembullore siç kërkohet (parashihet) me rregullore. Zyrtari policor duhet të jetë i paanshëm, i sjellshëm, profesional, i vendosur dhe imun ndaj çdo forme të mitos (ryshfetit). Zyrtari policor nuk ka privilegje dhe as nuk i kërkon ato për vete apo për dikë tjetër e as nuk ka përparësi ndaj qytetarëve tjerë.

Edhe pse shumica e anketave Policinë e Kosovës, për kah besueshmëria, e klasifikojnë lart në rangun e institucioneve shtetërore, skandalet e vazhdueshme që e përcjellin këtë institucion flasin për një institucioni i cili le shumë për të dëshirua. Besimi i popullatës në Policinë e Kosovës është refleksion i idealizmit për të pasur Kosova polici të veten dhe për faktin se pjesa e Policisë e cila është në kontakt të përditshëm me popullatën, reflekton mirë dhe krijon perceptimin si institucion i besueshëm.

Rasti që ndodhi në Drenas me abuzimin seksual të një vajze të mitur, ku të implikuar janë një polic hetues e edhe një profesor, tronditi opinionin. Por, skandali nuk përfundon me kaq. Nga burime mirë të informuara në Policinë e Kosovës dhe në Prokurorinë e Shtetit, është mësuar se pas rastit me Vesel Veselin, kanë vazhduar hetimet edhe në disa pista. Cak i hetuesisë janë edhe disa policë të tjerë, shokë e kolegë të Veselit. Për këta persona edhe nga IPK kanë konfirmuar se kanë informacione.

E rasti i fundit këtë të dielë ku dyshohet se Jetmir Aliaj u qëllua për vdekje nga një rreshter i Policisë së Kosovës, me të kaluar të dyshimtë ku sipas disa mediave ai ishte duke u hetuar për disa vepra penale, ka zbehur imazhin e Policisë së Kosovës dhe dyshimin në individ të caktuar që mbajnë uniformën e këtij institucioni.

Peticioni

Sipas nenit 69 të ligjit për vetëqeverisjen lokale thuhet se çdo person apo organizatë me interes në komunë ka të drejtën e prezantimit të peticionit në kuvendin e komunës për çfarëdo çështje lidhur më përgjegjësitë dhe kompetencat e komunës. Kuvendi i komunës shqyrton peticionin në pajtim më statutin dhe rregulloren e punës.

Përderisa Rregullorja për Procedurën e Hartimit dhe Publikimit të Akteve të Komunës në nenin 13, pika 1.5. në mënyrë indirekte kërkon që peticioni të jetë nënshkruar nga 15% e qytetarëve të komunës përkatëse me të drejtë vote kur propozohen akte normative, në anën tjetër komunat në mënyrë të veçantë kanë përcaktuar procedurat dhe numrin e kërkuar të nënshkrimeve për shqyrtimin e peticioneve përmes statutit dhe rregulloreve të punës nga ana e Komunave

E këtë fundit do ta organizojë Komuna e Suharekës e cila synon që të mbledh së paku 10 mijë nënshkrime, që padyshim dhe me të drejtë do të mbledh edhe më shumë. Po çka pastaj?

Nënshkrimet e mbledhura dërgohen në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione i cili ndër tjera merret me shqyrtimin e peticioneve, të cilat i drejtohen Kuvendit:
a) Pranon për shqyrtim peticionet, të cilat janë bërë me shkrim, i kanë emrin e dërguesit dhe nënshkrimet përkatëse, janë të kuptueshme dhe e tregojnë qartë objektin e tyre;
b) Komisioni mund t’ua kthejë peticionin dërguesve për rihartim ose t’u kërkojë sqarime shtesë;
c) Jo më vonë se dy javë punë, nga dita e marrjes së peticionit, kryetari i Komisionit e paraqet peticionin në Komision, duke propozuar njëkohësisht edhe mënyrën e zgjidhjes ligjore ose mospranimin e peticionit.

Në rast se Komisioni e vlerëson të arsyeshme, për zgjidhjen e çështjes mund ta autorizojë kryetarin e Komisionit të paraqesë deklaratë në mbledhjen plenare të Kuvendit, që në rastin tonë qëllimi i peticionit është “Shfuqizimi i Ligjit për Lojërat e Fatit” e që në këtë rast duhet bërë një projektligj që të shfuqizojë këtë ligj që marrë parasysh peticionet më parshme që kanë përfunduar në arkiva, edhe ky i fundit vështirë që do të merret parasysh pavarësisht qëllimit të mirë të mirë të tij.