Mbi 400 mjekë u larguan nga Kosova për vetëm katër vite
- 21.01.2022
- 0 komente
Premtimet e partive politike për rregullimin e gjendjes në shëndetësi, po shihen me skepticizëm nga përfaqësues të punonjësve shëndetësorë.

Mbi 100 mjekë çdo vit kërkojnë të ikin nga Kosova. Ndërkohë në vend gjatë vitit diplomojnë rreth 150 mjekë.
Shumë shpesh janë ngritur shqetësime për këtë dukuri që po ndodh prej vitesh.
Vlerësohet se për t’i mbajtur mjekët specialistë në vend, duhet paga më të larta dhe kushte më të mira të punës.
Po ashtu, Dijon Musliu, përfaqësues i Këshillit të Specializantëve kishte thënë se trendi i ikjes është duke u rritur.
Vetëm gjatë katër vjetëve të fundit mbi 400 mjekë të Kosovës kanë lënë vendin për të punuar në shtetet e Evropës.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu në një prononcim për Telegrafin tha se shumica e mjekëve që janë larguar kanë deklaruar se janë kushtet e punës, kualiteti i shkollimit specialistik dhe rrogat që i kanë bërë t’ia mësyjnë shteteve të Evropës.
“Gjatë këtyre 4 viteve të fundit, nga funksionalizimi i OMK-së janë larguar 454 mjekë, e kryesisht mosha mesatare e tyre është pak mbi moshën 31 vjeçare. Kurse gjatë një minisondazhi që e bëjmë me rastin e aplikimit për dokumentin e nevojshëm për punësim në shtetet e BE-së por jo vetëm, shumica janë deklaruar se largohen për shkak të kushteve të punës, pastaj vijnë kualiteti i shkollimit specialistik dhe rrogat”, kishte thënë Sejdiu.
Ndryshe, më 12 janar Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, duke filluar nga janari deri në gusht të këtij viti.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, para kabinetit qeveritar kishte thënë se duke pasur parasysh migrimin e mjekëve dhe pandeminë COVID-19 kjo është çështje me prioritet.
“Me qëllim të stimulimit të stafit shëndetësor, sidomos duke pasur parasysh trendin e migrimit të mjekëve tanë dhe pandeminë COVID-19, Ministria e Shëndetësisë e konsideron pagesën e specializantëve me vetfinancim si çështje me prioritet për vendin”, tha ai.
Leave a Reply