PDK konfirmon pjesëmarrjen në takimin me Kurtin, kërkon plan konkret për formimin e institucioneve

09.07.2026

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke theksuar se pret të dëgjojë një plan konkret për tejkalimin e krizës institucionale dhe formimin e institucioneve të reja.

Pas mbledhjes së Kryesisë të mbajtur të enjten, PDK njoftoi se ka shqyrtuar certifikimin e rezultateve zgjedhore dhe ftesën e Kurtit, duke vlerësuar se çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës duhet të trajtohet me seriozitet.

Sipas njoftimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës dhe do të marrë pjesë në takimin e së premtes për të dëgjuar zgjidhjet konkrete që Kurti ofron për daljen nga bllokada institucionale.

PDK ritheksoi se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje, duke kërkuar nga Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e shumicës parlamentare.

Në fund, PDK theksoi se zhvillimet e mëtejme do të varen nga serioziteti i procesit, respektimi i rendit kushtetues dhe ofrimi i zgjidhjeve konkrete në interes të Republikës së Kosovës, duke shtuar se mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj politike dhe do të veprojë në përputhje me Kushtetutën.