Ballkani triumfon bindshëm ndaj Prishtinës dhe mbyll vjeshtën në krye të tabelës
Ballkani ka regjistruar një fitore të madhe në derbin ndaj FC Prishtinës, duke e mposhtur me rezultat 3-1 në kuadër të javës së 17-të të Albi Mall Superligës. Kampionët në fuqi treguan karakter dhe cilësi, duke përmbysur rezultatin pas një disavantazhi të hershëm.
Ndeshja nisi më mirë për mysafirët, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 13-të. Megjithatë, reagimi i Ballkanit ishte i shpejtë dhe vendimtar. Tolaj riktheu baraspeshën në minutën e 22-të, ndërsa vetëm nëntë minuta më vonë, Jashanica realizoi me kokë për ta përmbysur rezultatin në 2-1.

Dominimi i Ballkanit u konfirmua në fund të pjesës së parë, kur Serebe u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar golin e tretë dhe duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-1.
Me këtë triumf të rëndësishëm, Ballkani vazhdon të kryesojë tabelën e Superligës me 32 pikë, katër më shumë se ndjekësi më i afërt, duke konfirmuar formën e shkëlqyer në këtë edicion.
Në xhiron e ardhshme, që është edhe e 18-ta dhe e fundit e sezonit vjeshtor, Ballkani do të jetë mysafir i Dukagjinit në Klinë, me synimin për ta mbyllur gjysmën e parë të kampionatit në mënyrën më të mirë të mundshme.