KB Prishtina hap sot edicionin evropian ndaj Gimle
Sot skuadra e KB Prishtinës do të zhvillojë ndeshjen e parë për këtë edicion në Ligën Evropiane të Veriut (ENBL).
Bardhekaltrit do të përballen me ekipin norvegjez BC Gimle, në ndeshjen që luhet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00.
Skuadra kryeqytetase do të luajë gjithsej tetë ndeshje në këtë fazë, duke pasur mundësinë të zhvillojë katër takime para tifozëve të vet dhe katër në terrenet e kundërshtarëve.
Kjo është hera e dytë që KB Prishtina merr pjesë në Ligën ENBL, ndërsa këtë edicion garës i është bashkuar për herë të parë edhe ekipi tjetër kosovar, KB Peja.
Në këtë edicion, përveç Gimle Basket, bardhekaltrit do të përballen edhe me skuadra nga vende të ndryshme evropiane:
- BK Opava – Çeki
- Brussels Basketball – Belgjikë
- Slovan Bratislava – Sllovaki
- Tindastoll Saudarkrokur – Islandë
- Keila Coolbet – Estoni
- Manchester Basketball – Britani e Madhe
- Dinamo Zagreb – Kroaci
Ndeshja e sotme pritet të sjellë atmosferë të zjarrtë në kryeqytet, teksa tifozët bardhekaltër presin me entuziazëm fillimin e rrugëtimit të ri të Prishtinës në arenën ndërkombëtare.