Mediat ndërkombëtare shkruajnë për Sunny Hill Festival

04.08.2025

Për tri ditë me radhë, Prishtina ka qenë kryeqendra e muzikës dhe kulturës moderne, duke pritur edicionin e radhës të Sunny Hill Festival.

Kjo ngjarje, e cila ka filluar në vitin 2018 si një iniciativë artistike, tashmë është kthyer në një lëvizje shoqërore që përfaqëson aspiratat e një kombi të tërë.

Festivali ka mbledhur në Prishtinë mijëra pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe vende të tjera të Evropës e më gjerë. Përveç atmosferës festive, Sunny Hill ka arritur të tërheqë vëmendjen e mediave më të mëdha ndërkombëtare, duke e shndërruar Kosovën në një pikë referimi për kulturën dhe muzikën moderne.

Media prestigjioze si BBC, Vogue, The Guardian, Daily Mail dhe të tjera kanë pasqyruar festivalin në raportimet e tyre, duke e prezantuar atë si një shembull të suksesit dhe ndikimit kulturor të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kur Sunny Hill u lansua në vitin 2018, qëllimi i tij i parë ishte të sfidonte një padrejtësi moderne hartografike, duke i dhënë Kosovës vendin që meriton në hartën kulturore globale. Kjo nismë mori edhe një dimension simbolik kur, me dekret presidencial, këngëtares me famë botërore Dua Lipa, iu dha shtetësia e Republikës së Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani.

Themeluar dhe organizuar nga Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, Sunny Hill është shndërruar në festivalin më të madh të muzikës në Kosovë dhe një prej më të rëndësishmëve në rajon. Ai nuk është më thjesht një ngjarje argëtimi, por një platformë që promovon kulturën, artin dhe identitetin kosovar para botës.

Edicioni i sivjetmë konfirmoi edhe një herë fuqinë e këtij festivali për të bashkuar njerëz, për të krijuar mundësi dhe për të promovuar imazhin pozitiv të Republikës së Kosovës.