Sot përpjekja e 33-të për konstituimin e Kuvendit

17.06.2025

Ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës thellohet edhe më tej, pasi seanca e konstituimit ka dështuar për të 33-tën herë.

Sot përpjekja e 33-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët do të tentojnë sërish sot, për herë të 33-të, të konstituojnë legjislaturën e 9-të, por pa ndonjë shenjë optimizmi.

Deri më tash, në vazhdimet e seancave që nuk kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili do të mundësonte votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit dështoi sërish të dielën. Kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari, ftoi edhe njëherë subjektet politike parlamentare – konkretisht PDK-në, LDK-në, Listën Serbe dhe AAK-NISMA-n – që të propozojnë deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë. Megjithatë, sërish nuk pati propozime për anëtarë të këtij komisioni.

Pas kësaj, përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim. Rezultati ishte: 45 vota pro, një votë kundër, dhe asnjë abstenim, duke mos arritur numrin e nevojshëm të votave për miratim.

Ndërkohë, në fund të çdo seance, përfaqësuesit e partive politike vazhdojnë të hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sërish ka akuzuar deputetët e partive të tjera për bojkotimin e votimit dhe pengimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Gjatë vazhdimit të angazhimeve si kryetar i ekzekutivit, ai deklaroi se deputetët po bëjnë shkelje kushtetuese duke mos marrë pjesë në votim, me referencë te bojkotimi i votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Unë çdo herë shkoj për ta konstituuar Kuvendin. Ata që vijnë, por bojkotojnë duke mos votuar, nuk e di pse vijnë. Sipas bindjes sime, pjesëmarrja në seanca dhe bojkotimi i votimit është sjellje e papërgjegjshme politikisht dhe shkelje e Kushtetutës juridikisht,” tha ai.

Megjithatë, Kurti është akuzuar vetë për një shkelje të tillë, pasi është betuar si deputet dhe njëkohësisht vazhdon të marrë vendime nga zyra e kryeministrit. Sipas njohësve të fushës, bazuar në Ligjin për Qeverinë, ai nuk mund të mbajë të dyja postet njëkohësisht.

Etiketat

Ofertat e fundit