Kryetarët e Bashkive Arbëreshe vizitojnë Suharekën
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar sot përmes Facebook-ut se Komuna e Suharekës ka pritur një delegacion të rëndësishëm nga bashkitë arbëreshe të Kalabrisë, Itali.
Foto: Ilustrim
Kjo vizitë shënon një hap të ri drejt forcimit të lidhjeve dhe shkëmbimit të përvojave mes Kosovës dhe komuniteteve arbëreshe.
Delegacioni i përbërë nga figura të njohura të komunitetit arbëresh përfshinte:
- Ernesto Madeo, komisioner i Fondacionit Arbëresh dhe kryetar i Bashkisë San Demetrio Corone.
- Damiano Baffa, kryetar i Bashkisë San Cosmo Albanese.
- Angelo Catapano, kryetar i Bashkisë Frascineto.
- Serena Notaro, kryetare e Këshillit të Bashkisë Caraffa di Catanzaro.
- Giuseppe Rizzo, kryetar i Bashkisë Cerzeto.
- Valerio Caparelli, gazetar dhe përgjegjës i komunikimit të Fondacionit Arbëresh.
Kryetari Muharremaj theksoi rëndësinë e kësaj vizite, duke e cilësuar si një nder për komunën e Suharekës. Ai shprehu bindjen se kjo do t’i hapë rrugë bashkëpunimit të frytshëm në të ardhmen.
“Natyrisht në të ardhmen do të shohim mundësinë e bashkëpunimit, duke e theksuar edhe si domosdoshmëri e kohës. Kjo vizitë e nderon komunën tonë, dhe kjo do t’i hapë rrugë edhe shkëmbimit të përvojave mes vendeve tona,” shkroi Muharremaj në postimin e tij.