Zvicër, pensionistët kosovarë penalizohen nga kompanitë e sigurimeve: Sigurimi i makinës deri në 49% më i shtrenjtë për ta

para 11 dite

Pensionistët kosovarë dhe qytetarët e tjerë nga Ballkani po përballen me tarifa më të larta sigurimi për automjetet në Zvicër, një praktikë që po cilësohet gjithnjë e më tepër si diskriminuese.

Zvicër, pensionistët kosovarë penalizohen nga kompanitë e sigurimeve: Sigurimi i makinës deri në 49% më i shtrenjtë për ta

Pensionistët kosovarë paguajnë më shumë për sigurimin e makinës

Këshilli Kombëtar i Zvicrës po kërkon ndërhyrje nga Këshilli Federal për të ndaluar ndarjen e primeve në bazë të kombësisë.

Rasti i infermieres Liridona Dizari, një shtetase e natyralizuar zvicerane me origjinë nga Kosova, e nxori në pah qartë këtë pabarazi. Ajo vuri re se, pas marrjes së pasaportës zvicerane, kishte nisur të paguante shumë më pak për sigurimin e makinës. Krahasimi me miqtë e saj të pa natyralizuar tregoi qartë diferencat diskriminuese në çmimet e sigurimit.

Një studim i shërbimit të krahasimit Comparis, publikoi të dhëna alarmante: shoferët e rinj me origjinë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Turqia paguajnë mesatarisht rreth 74% më shumë për sigurimin e një automjeti të njëjtë, krahasuar me qytetarët zviceranë. Por kjo nuk ndalet vetëm te të rinjtë.

Një eksperiment tjetër nxori në pah se edhe pensionistët kosovarë diskriminohen rëndë. Për të njëjtin automjet (VW Polo 1.0 TSI), një pensioniste me pasaportë zvicerane paguan 738 franga më pak në vit se një pensioniste me pasaportë kosovare – një diferencë prej 49%.

Hasan Candan, anëtar i Këshillit Kombëtar nga radhët e Partisë Socialiste (PS), ka ngritur zërin kundër kësaj praktike. Ai e cilëson ndarjen e primeve sipas kombësisë si një dënim kolektiv dhe shkelje të parimit kushtetues të mbrojtjes nga diskriminimi. Në një interpelancë drejtuar Këshillit Federal, ai kërkoi që kompanitë e sigurimeve të hetohen nga Mbikëqyrësi i Çmimeve dhe Komisioni Federal kundër Racizmit.

“Një qytetare me pasaportë të huaj, ashtu si një zvicerane, ka nevojë për makinë për të punuar – veçanërisht në profesionet e kujdesit. Primet e larta janë barrë e pajustifikueshme për fuqinë e tyre blerëse”, thekson Candan.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e industrisë së sigurimeve mbrojnë këtë praktikë si “statistikisht të justifikueshme”. Ata thonë se tarifat bazohen në rrezikun e parashikuar, që llogaritet nga të dhënat për dëmet e mëparshme të grupit. Kombësia është një nga disa faktorët e përdorur në përllogaritjen e këtyre primeve.

Por kjo logjikë nuk bind të gjithë. Komisioni Federal kundër Racizmit në Zvicër thekson se “formimi i grupeve të rrezikut në bazë të kombësisë” rrezikon të përjetësojë stereotipe dhe racizëm strukturor, duke e klasifikuar si praktikë diskriminuese.

Pavarësisht kritikave, Këshilli Federal zviceran ka mbrojtur për vite me radhë regjimin aktual të tarifimit. Sipas autoriteteve, diferencat në prime janë “të ligjshme” për sa kohë që bazohen në arsye objektive dhe të dhëna statistikore. Në vitin 2012, Këshilli deklaroi se “dallimet e bazuara në kombësi nuk përbëjnë diskriminim në vetvete”.

Në Bashkimin Evropian, megjithatë, rregullat janë më të ashpra: origjina nuk mund të përdoret si faktor për përllogaritjen e primeve të sigurimit. Kjo sjellje ngre pyetje serioze në lidhje me drejtësinë dhe barazinë në një shtet që njihet për standarde të larta të të drejtave të njeriut.

Për momentin, presioni ndaj Këshillit Federal po rritet, dhe mbetet për t’u parë nëse do të ketë një rishikim të ligjeve ekzistuese apo edhe ndonjë nismë popullore për ta adresuar këtë padrejtësi.

Etiketat

Ofertat e fundit