Zvicër, çdo banorë paguan 12,000 franga në vit për trafik
Trafiku në Zvicër gjeneroi kosto ekonomike prej 102.4 miliardë franga në vitin 2021, që përkthehet në rreth 12,000 franga për frymë.
Këto të dhëna janë publikuar nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), duke treguar ndikimin e madh të sektorit të transportit në ekonominë e vendit.
Pjesa më e madhe e kostove, plot 81%, ishte e lidhur me trafikun rrugor, i cili gjithashtu regjistroi volumin më të madh të aktivitetit. Ndërkohë, transporti hekurudhor përbënte 13% të kostove, transporti ajror 6%, dhe ai detar vetëm 0.5%.
Kostot e përgjithshme janë pesë për qind më të ulëta krahasuar me vitin 2019, para pandemisë Covid-19, pasi kufizimet dhe rënia e aktiviteteve gjatë pandemisë ndikuan ndjeshëm në trafikun dhe transportin.
Sipas BFS, më shumë se gjysma e kostove totale erdhën nga vetë mjetet e transportit. Ndërkohë, dëmet mjedisore dhe shëndetësore të lidhura me trafikun përbënin 20% të kostove, ndërsa zgjerimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës së trafikut kontribuonin me 15%. Aksidentet e trafikut llogariteshin për 10% të kostove.
Raporti thekson se përdoruesit privatë mbuluan 74% të kostove në trafikun rrugor privat. Ndërsa në transportin publik, mbulimi nga përdoruesit ishte më i ulët: 31% për transportin rrugor publik, 35% për transportin hekurudhor, dhe 41% për transportin ajror.
Pandemia Covid-19 ndikoi ndjeshëm në të ardhurat e kompanive të transportit. Transporti ajror shënoi humbje prej 1.1 miliardë franga, ndërsa transporti hekurudhor regjistroi një deficit prej 0.6 miliardë franga për shkak të rënies së numrit të pasagjerëve.