52.7% e zviceranve kanë vendosur kundër projektit 5 miliardësh për zgjerimin e autostradave
Një referendum historik është mbajtur sot në Zvicër, ku qytetarët kanë vendosur për një çështje që prek direkt jetën e tyre të përditshme dhe të ardhmen e vendit: zgjerimi i rrjetit të autostradave.
Projekti ambicioz, i vlerësuar në 5 miliardë franga, që synonte të përmirësojë infrastrukturën ekzistuese dhe të lehtësojë trafikun në pikat më të ngarkuara të vendit, nuk ka marrë mbështetje nga qytetarët.
Nga të dhënat përfundimtare 52.7% e pjesmarrësve në referendum kanë votuar kundër zgjerimit të autostradave, ndërsa 47.3% për.
Qeveria zvicerane dhe disa sektorë të ekonomisë mbështetën fuqishëm këtë iniciativë, duke argumentuar se zgjerimi i autostradave do të stimulojë rritjen ekonomike, do të krijojë vende pune dhe do të përmirësojë lidhjet me vendet fqinje.
Por, ky projekt kishte ngjallur edhe debate të ashpra. Grupe të ndryshme mjedisore, parti politike dhe organizata të shoqërisë civile janë shprehur kundër zgjerimit të autostradave, duke argumentuar se kjo do të ketë një ndikim negativ të rëndë në mjedis. Ata paralajmërojnë për rritjen e emetimeve të gazrave me efekt serrë, ndotjen e ajrit dhe ujit, si dhe për humbjen e hapësirave të gjelbra.