Kemi hyrë në ditën e nëntë të fushatës parazgjedhore, ku partitë politike po i shpalosin programet e tyre qeverisëse, por nuk i harrojnë as zotimet e tyre siç janë investimet qindra-miliona eurosh, dyfishim të rritjes ekonomike, rritje të pagave e të pensioneve, hapje të dhjetëra-mija vendeve të reja të punës, e shumë premtime të tjera, ku partitë politike me anë të këtyre premtimeve qytetarëve janë duke i’a premtuar “parajsën” qytetarëve.

Të gjitha këto premtime për qytetarët është një “parajsë”, por kjo ëndërr do të përfundojë pas 6 tetorit ditës së dielë, pasi që do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, por këto premtime të shumta të partive politike po vlerësohen krejtësisht të parealizueshme, shkruan gazeta “Zëri”.

Kohëve të fundit këto premtime megalomane janë bërë trend i subjekteve politike para çdo palë zgjedhjesh.

Kandidatët për Kryeministër në radhët e subjekteve politike, premtimet për qytetarët nuk po i ndalin, por këto premtime janë aq të mëdha, të cilat po konsiderohen të pambulueshme nga buxheti i shtetit.

Premtimi më i madh që mund të jetë bërë në këtë fushatë elektorale, njëra ndër to është edhe rritje ekonomike prej 6 deri në 9 për qind, por kjo po konsiderohet se është e pamundur të realizohet nga shoqëria civile.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, është zotuar para zgjedhjeve se me qeverisjen e LDK-së do të nisë të zbatohet programi për mbrojtjen e prodhuesve vendorë. Me këtë rast ajo ka premtuar 100 milionë euro subvencione për prodhuesit vendorë. “Subvencionet do të rriten për 100 milionë euro dhe dhënia e tyre do të koordinohet me komuna”, ka deklaruar ajo.

Gjithashtu Osmani ka premtuar edhe rritje të buxhetit për shëndetësinë prej 200 milionë eurosh.

Ndërkohë kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, është zotuar për krijimin e fondit për punësim të qëndrueshëm në vlerë prej 200 milionë eurosh. Gjithashtu Veseli ka thënë se prej 80 për qind do t’i rrisë edhe pensionet. “Pensionistët tanë le ta dinë, është koha e tyre, do t’ua rrisim pensionet 80 për qind në gjithë Republikën e Kosovës”, ka potencuar Veseli gjatë një tubimi të mbajtur në Prizren.

Ndërkohë i nominuari i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, është zotuar se gjatë qeverisjes së tij do t’i ndajë 1.3 miliard euro për infrastrukturën publike dhe për sektorët strategjikë. “Për infrastrukturën publike e për sektorët strategjikë sikurse minierat dhe energjia do t’i ndajmë 1.3 miliard euro për mandatin e parë 4-vjeçar të qeverisë së re”, është shprehur lideri i Vetëvendosjes. Gjithashtu ai ka premtuar edhe 600 milionë euro për komunat.

Ndërkaq kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK – PSD, Ramush Haradinaj, ka thënë se gjatë qeverisjes së tij do të ketë rritje ekonomike prej 8 për qind. Ai gjithashtu ka premtuar edhe rritje të pagave për çdo fillimvit. “Rritjen ekonomike tash e kemi mbi 4 për qind, mund ta bëjmë 6 për qind në dy vjetët e para, mund të shkojmë deri në 8 për qind rritje. Ne mund t’i rrisim pagat çdo vit për 10 për qind dhe mundemi po ashtu ta ulim joformalitetin rreth 4 për qind, që është ulje graduale dhe ndihmon zhvillimin ekonomik”, ka theksuar ai.

Por Dardan Sejdiu, kandidat për deputet nga ky koalicion, ka shkuar edhe më tej duke thënë se gjatë qeverisjes së këtij koalicioni do të ketë rritje ekonomike deri në 9 për qind. Kjo rritje ekonomike, siç ai është shprehur, mund të sjellë mbi 20 mijë vende pune në vit, shkruan gazeta “Zëri”.

Në anën tjetër, kandidati për kryeministër i koalicionit Nisma – AKR – PD, Fatmir Limaj, është zotuar për 500 milionë euro investim në bujqësi. “Temë mbi temë për mua është bujqësia. Brenda katër vjetëve të ardhshme ne planifikojmë t’i investojmë 500 milionë euro”, ka theksuar Limaj.

Ndërkohë Endrit Shala, kandidat për deputet nga ky koalicion, u zotua se çdo qytet i Kosovës do të ketë zonë ekonomike./ZERI/