Mediat ndërkombëtare, duke përfshirë agjenci të njohura si Associated Press dhe Reuters, i kanë cilësuar zgjedhjet si një provë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

“Kosovarët votuan të dielën në zgjedhjet parlamentare, ku partitë kryesore premtojnë rritje të pagave dhe pensioneve publike, përmirësimin e shërbimeve të arsimit dhe shëndetësisë, dhe luftën kundër varfërisë”, ka shkruar Associated Press.

Sipas Associated Press, “ndihmat ndërkombëtare për Kosovën po pakësohen dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë janë bllokuar”.

Edhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, ka raportuar mbi zgjedhjet parlamentare, duke përmendur faktin se janë shqiptuar më shumë se 650,000 euro gjoba për partitë politike në këtë fushatë.

Agjencia gjithashtu ka përmendur se në vitin 2023, Bashkimi Evropian vendosi kufizime ekonomike ndaj Kosovës për shkak të tensioneve me serbët etnikë, duke reduktuar financimet me të paktën 150 milionë euro.

“The Guardian” duke raportuar për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ka theksuar se ky mund të jetë “një moment kyç në historinë e vendit dhe një mundësi për të përcaktuar integritetin territorial në një botë gjithnjë e më të tensionuar”.

E përditshmja britanike “The Guardian” ka folur edhe për ndikimin që kthimi në Shtëpinë e Bardhë mund ta ketë për Kosovën. “Kosova po voton teksa hija e tij shkakton brenga”, shkruan “The Guardian”.

“Kosova voton në zgjedhje parlamentare të mjegulluara nga tensionet me Serbinë”, ka shkruar media franceze “France24”.

Media ka potencuar se kosovarët po votojnë zgjedhje parlamentare që mund të përcaktojnë kush do të udhëheqë ekipin e Kosovës në negociatat me Serbinë, të cilat janë bllokuar vitin e kaluar.

Votimin e së dielës si një test të rëndësishëm për Kosovën e ka cilësuar edhe Al Jazeera, duke theksuar se këto zgjedhje përcaktojnë se “kush do të udhëheqë negociatat e bllokuara të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Këto zgjedhje shihen si një mundësi për Kosovën për të përparuar në rrugën e saj drejt integrimit evropian, por edhe për të adresuar sfidat e brendshme ekonomike dhe politike.