Zgjedhjet 2025 në Kosovë, Rohde rikujton rregulloren e Gjermanisë për tubimet partiake
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar se partitë politike kosovare mund të përballen me vështirësi në organizimin e tubimeve elektorale në Gjermani, veçanërisht në periudhën e afërt me zgjedhjet në Kosovë.
Në një njoftim të publikuar në platformën X, Rohde ka sqaruar se autoritetet gjermane kanë rregullore të veçanta që rregullojnë fushatat zgjedhore të vendeve të tjera në territorin e tyre. Sipas këtyre rregulloreve, lejet për mbajtjen e eventeve elektorale nuk do të jepen nëse ato planifikohen të mbahen më pak se tre muaj para datës së zgjedhjeve në vendin përkatës.
“Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë, ne kemi informuar Ministrinë e Jashtme dhe partitë politike për rregulloren tonë specifike. Kjo ka të bëjë me ngjarjet e fushatës për zgjedhjet në Kosovë që zhvillohen në tokën gjermane. Rregullorja parashikon ndër të tjera se… Leja në përgjithësi nuk do të jepet nëse ngjarja e fushatës zhvillohet brenda një periudhe më pak se tre muaj përpara datës së zgjedhjeve në vendin përkatës”, ka shkruar Rohde.
Ky vendim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejt në aktivitetet e partive politike kosovare që kanë një bazë të madhe të votuesve në diasporën gjermane. Në vitet e fundit, ka qenë e zakonshme që liderët politikë të Kosovës të vizitojnë komunitetet kosovare në Gjermani për të kërkuar mbështetjen e tyre për zgjedhje.
Kufizimet e reja të vendosura nga Gjermania mund të detyrojnë partitë politike kosovare të ristrukturojnë fushatat e tyre elektorale dhe të fokusohen më shumë në aktivitete online.