Pasi që ishte planifikuar që të mbahej një debat mes kandidatëve për kryeministër të Kosovës, sipas Lëvizjes Vetëvendosje Vjosa Osmani së bashku me kundërkandidatë të tjerë të Albin Kurtit u tërhoqën nga debati.
Rreth këtij debati ka folur Kreshnik Ahmeti, sekretar për marrëdhënie me jashtë nga LVV, ai tha se teksa është planifikuar të mbahej debati, ai ka thënë se Vjosa Osmani dhe disa kandidatë të tjerë filluan të tërhiqen në momentin e fundit.
“Sot ishte e planifikuar që të mbahej një debat mes kandidatëve për kryeministër, në Kongresin e Dytë të të Rinjve të mbështetur nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES). Në momentin e fundit pjesa më e madhe e kundërkandidatëve të Albin Kurtit, përfshirë këtu edhe Vjosa Osmanin, filluan të tërhiqen”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas Ahmetit ky debat mes kandidatëve për Kryeministër të Kosovës nga të gjitha partitë politike është shumë i nevojshëm të ndodhë në fushatë elektorale.
Po ashtu Ahmeti ka thënë se: “Organizime të tilla duhet të mbështeten e të respektohen nga të gjitha subjektet e nga të gjithë kandidatët”.
“Sot, në këtë organizim janë mbledhur një numër i madh i të rinjve, të cilët tash nuk e kanë të mundur ta ndjekin një debat të tillë, ku do të shihej qartë se kush është kandidati më i përgatitur për ta udhëhequr Qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.