VV premton rritje të buxhetit për barna deri në 100 milionë euro shtesë dhe unifikim të çmimeve
Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar një rritje të ndjeshme të buxhetit për listën esenciale të barnave, duke synuar një shtim prej 100 milionë eurosh.
Sipas kësaj partie, kjo rritje do të mundësojë zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme, duke përfshirë për herë të parë edhe barnat jashtëspitalore.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një video të shpërndarë nga VV, ka theksuar se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre për blerjen e barnave. Ai ka shpjeguar se përmes ndryshimeve ligjore dhe sistemit të ri të E-receptave, qytetarët do të mund të marrin barna shumë më të lira dhe me çmim të njëjtë në të gjitha barnatoret e vendit.
VV gjithashtu ka premtuar unifikimin e çmimeve të barnave në të gjithë territorin e Kosovës, duke synuar çmime të përballueshme për të gjithë qytetarët. Kjo, sipas tyre, do të lehtësojë qasjen në barna të nevojshme dhe do të zvogëlojë barrën financiare për familjet kosovare.