Numërimi i votave me kusht në Suharekë drejt fundit, rezultatet ende nuk janë publikuar nga KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar numërimi i votave me kusht në Komunën e Suharekës.
Nga KQZ kanë njoftuar për SuharekaOnline se gjatë ditës së martë ka nisur procesi i numërimit të votave me kusht për komunën e Suharekës, në kuadër të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor. Në këtë komunë, qytetarët që për arsye të ndryshme nuk figuronin në listat e rregullta votuese, e kanë ushtruar të drejtën e votës me kusht në objektin e SHFMU “Destan Bajraktari” në Suharekë.
Sipas KQZ-së, numërimi i këtyre votave është duke u zhvilluar dhe pritet të përfundojë brenda pak ditësh. Megjithëse ende nuk janë bërë publike shifrat e sakta, pritet që rezultatet e votave me kusht të kenë ndikim në konfigurimin e përfundimtar të votave, si për kandidatët për kryetar komune, ashtu edhe për ata që garojnë për Kuvendin Komunal.
Deri më tani për votat me kusht në Komunën e Suharekës, KQZ nuk ka publikuar ende ndonje rezultat, ani pse ka njoftuar se numërimi ka filluar.
SuharekaOnline do t’iu mbaj të informuar lidhur me rezultatet e votave me kusht.
Numërimi i votave me kusht shihet si një pjesë e rëndësishme e procesit zgjedhor, veçanërisht në komuna si Suhareka ku gara është e ngushtë dhe çdo votë mund të bëjë diferencën në përbërjen e ardhshme të pushtetit lokal.
Kujtojmë se Suhareka tashmë është në pritje të raundit të dytë të zgjedhjeve, i cili do të mbahet më 9 nëntor, ku në garë për postin e kryetarit të komunës janë Bali Muharremaj nga AAK dhe Ardian Shala nga LDK.