Vizita e Muharremajt në QKMF gjatë fushatës, PZAP gjobit AAK-në me 3000 euro

11.02.2025

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur koalicionin AAK-NISMA me 3,000 euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025.

Vizita e Muharremajt në QKMF gjatë fushatës, PZAP gjobit AAK-në me 3000 euro

Vendimi erdhi pas shqyrtimit të një ankese të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila pretendonte se kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, njëherit kandidat për deputet nga koalicioni AAK-NISMA, kishte vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Rexhep Kuçi” në Suharekë dhe Urgjencën e kësaj QKMF-je më 6 shkurt 2025, duke shkelur kështu ligjin.

LVV akuzoi Muharremajn për përdorimin e institucioneve publike për qëllime elektorale dhe promovimin e vetvetes dhe subjektit të tij politik. Si provë, LVV bashkangjiti një postim në Facebook dhe fotografi të vizitës së Muharremajt në QKMF.

Në përgjigjen e tyre, koalicioni AAK-NISMA pohoi se vizita e Muharremajt ishte në cilësinë e kryetarit të komunës dhe se ai kishte të drejtë të vizitonte institucionet publike. Ata gjithashtu përmendën raste të tjera të ngjashme të zyrtarëve të tjerë, duke përfshirë kryeministrin Albin Kurti, të cilët kishin vizituar institucione publike gjatë fushatës.

Megjithatë, PZAP-i vendosi se ankesa e LVV-së ishte e bazuar. Paneli vlerësoi se Muharremaj, nëpërmjet vizitës së tij në QKMF dhe postimit të fotografive në Facebook, kishte shkelur nenin 36 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili ndalon përdorimin e pozitës publike për përfitime elektorale.

PZAP-i gjithashtu theksoi se koalicioni AAK-NISMA ishte i vetëdijshëm për detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre gjatë fushatës zgjedhore dhe se shkelja e tyre përbënte përsëritje të shkeljeve të legjislacionit zgjedhor.

Koalicioni AAK-NISMA ka afat 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi për të paguar gjobën prej 3,000 eurosh.

Anr.412.Vendim

Etiketat

Ofertat e fundit