Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të jetë i ngushtë mes subjekteve politike, mirëpo një rezultat të tillë mund ta përmbysë numri i madh i votuesve që janë regjistruar nga diaspora.
Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike, të cilët theksojnë se favorite për të prirë me mbështetjen e mërgatës qëndron Lëvizja Vetëvendosje, shkruan gazeta “Zëri”.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Rasim Alija, ka thënë për gazetën se në bazë të praktikave të mëhershme, por edhe në punën e Lëvizjes Vetëvendosje me diasporën kjo parti mund ta marrë përsëri shumicën e votave të mërgimtarëve.
“Që prej zgjedhjeve të vitit 2014 LVV-ja ka marrë shumicën e votave nga diaspora. Këtij fakti ia shtojmë edhe punën me diasporën që e ka bërë Vetëvendosja në terren, atëherë pritet që shumica e këtyre votave të jenë për këtë subjekt. Kjo mund të konfirmohet edhe nga sjellja e votuesve, duke qenë se procesi i votimit nga jashtë është goxha i komplikuar dhe numri i aplikimeve nga diaspora është dyfishuar. Ky entuziazëm nuk është votë për subjektet në pushtet, por është votë për partitë opozitare e në masë të madhe për LVV-në”, ka potencuar ai.
Alija thotë se numri kaq i madh i aplikuesve nga mërgata mund ta përcaktojë fituesin, duke qenë se në zgjedhjet e 6 tetorit pritet të jetë një garë e ngushtë.
“Nëse numri prej 42000 aplikimeve do të jetë në rregull dhe do të jenë pallogaritura edhe aplikimet e serbëve nga Kosova, kjo i bie 6% e trupës elektorale. I bie një subjekt politik me 6 ose 7 deputetë. Kjo do të thotë që gara për fituesin e zgjedhjeve tashmë ka marrë fund”, ka shtuar ai./ZERI/