PZAP gjobit Koalicionin për Familje me 4500 euro për fjalë urrejtjeje ndaj komunitetit LGBTI+
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të gjobitë Koalicionin për Familje me 4,500 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
Ky vendim është marrë pas një ankese të paraqitur nga organizatat joqeveritare CEL Kosova dhe Dylberizim, të cilat kanë akuzuar këtë subjekt politik për përdorim të gjuhës nxitëse dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBTI+.
Në vendimin e tyre, gjyqtarët e PZAP-it kanë konstatuar se disa kandidatë të Koalicionit për Familje, përfshirë Fatmir Smajli, Eman Rrahmani, Visar Korenica dhe Asdren Bytyqi, kanë bërë deklarata publike që përmbajnë fjalë urrejtjeje dhe nxisin përçarje dhe frikë ndaj komunitetit LGBTI+. Këto deklarata janë bërë gjatë tubimeve elektorale dhe në emisione televizive.
Sipas ankesës, kandidatët e Koalicionit për Familje kanë përshkruar promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTI+ si “marrëzi”, “kundër natyrës njerëzore” dhe një kërcënim për “ardhmërinë e shqiptarëve”. Ata kanë sugjeruar se këto të drejta promovojnë “degjenerim” dhe paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare.