Sot në ditën e katër të fushatës zgjedhore, Partia Demokratike e Kosovës së bashku me kandidatin për Kryeministër të Kosovës nga radhët e kësaj partie, Kadri Veselin kanë mbajtur tubim me qytetarët e Klinës, ku tha se programi i PDK-së është për një Kosovë pa krim e korrupsion.
Po ashtu në këtë tubim u tha se kjo parti do të shënojë fitore në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor, pasi gjithmonë iu ka prirë proceseve të deritanishme për shtet-ndërtimin e Kosovës.
Sipas Kadri Veselit, pjesëmarrja masovike në këto tubime të PDK-së gjatë fushatës zgjedhore, tregon zgjimin kombëtar për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Ndërkohë Veseli tha se rinia dhe qytetarët janë garancia më e madhe për të ardhmen e Kosovës.
“I nderuari kryetar i PDK-së, një nga themeluesit e UÇK-së, njëri nga kryetarët më të suksesshëm të PDK-së, po edhe të komunës së Kosovës. Ai edhe pse ishte themelues i UÇK-së, as nuk mallkoi, as nuk u nervozua. Ia kanë bërë kapak disa dallavere me do certifikata por e mbajtshin me shëndet për vete, por ky është reagimi kombëtar i cili tregon se qytetarët janë të vendosur për të ecur përpara ,për të ecur e për të mos u ndal”, ka thënë ai.
Po ashtu Veseli tha se: “Ky është koncepti jonë për katër vjetët e ardhshme është për një Kosovë e zhvilluar ekonomikisht me ekonomi të dijes, të prodhimit, ndërmarrëse, një Kosovë e cila lufton fuqishëm korrupsionin dhe nepotizmin, një Kosovë, e cila është fuqishëm bashkë me SHBA-në dhe perëndimorët tanë evropianë. Vetëm kështu mund të ecim përpara”.
Ai thotë se më 6 tetor, do të jetë dita e referendumit.
“Cilin drejtim do ta marrë Kosova? Do ta marrë drejtimin e një qeverisje të dijes dhe ndërmarrësve, luftës kundër korrupsionit, qeveri e partneritetit me SHBA, apo një qeveri e cila është e dilemave, e konfrontimit të brendshëm, një koalicion i cili është i konfrontimit me SHBA, e ai është koalicion Mustafa-Kurti është koalicioni i korrupsionit dhe izolimit të Kosovës”, ka thënë Veseli.