Dega e Partisë  Demokratike në Fushë Kosovë e ka quajtur AAK’në partiçkë, vetëm pak minuta pasi Ramush Haradinaj përmes Facebook’ut njoftoi se ka marrë përkrahje nga Iniciativa Qytetare në këtë komunë, e që është fraksion i ndarë nga PDK’ja në Fushë-Kosovë.

Në një reagim zyrtar, PDK’ja në Fushë Kosovë ka thënë se partnerja e Qeverisë së kaluar, AAK’ja, e ka konsumuar pushtetin dyvjeçar për punësime të familjarëve e militantëve partiakë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke orkestruar një mashtrim ndaj qytetarëve të Fushë Kosovës, gjoja për vende pune e favore. Ky mashtrim i AAK’së në prag të fushatës zgjedhore është duke dështuar, pasi edhe qytetarët nuk besojnë në premtime të tilla të rrejshme. Kjo partiçkë e cila pushtetin dy vjeçar e ka konsumuar duke punësuar familjarë e militantë partiakë me kontrata mbi vepër në dikasteret ku ka udhëhequr, nuk ka krijuar vende pune për qytetarët sikurse as për përkrahësit e vet në Fushë Kosovë”, thuhet në reagimin e PDK’së.

Kjo degë e PDK-së ka thënë tutje se “AAK’ja nuk mund të abuzojë më tutje me postet publike, ngase po vjen qeverisja me kryeministër Kadri Veselin, e cila do të krijojë mundësi e shanse të barabarta për të gjithë qytetarët, përmes luftës ndaj korrupsionit e nepotizmit, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe perspektivës për të rinjtë”.

“Për më tepër, Dega e AAK-së në Fushë Kosovë ka dy vite që është jashtë funksionit”, thuhet në reagim.

PDK’ja ka thënë po ashtu se ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ka degraduar shtetin e Kosovës me qeverisjen e tij.

“PDK në Fushë Kosovë beson se qytetarët nuk do të bien pre e premtimeve të rrejshme të partiçkës së AAK-së, ngase epoka e punësimeve familjare të AAK’së ka përfunduar me dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Ramush Haradinajt, i cili e degradoi shtetin e Kosovës. Ata besojnë në vlera dhe në platforma që rrisin mirëqenien e përgjithshme. Vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe këtë vullnet do ta dëshmojnë më datën 6 tetor, duke votuar për Partinë Demokratike të Kosovës”, përfundon komunikata e PDK-së në Fushë Kosovë.