Nuk kanë kaluar më shumë se 48 orë ku në emisionin Pressing të T7 ishin të ftuar Kujtim Shala dhe Lumir Abdixhiku.
Në pyetjen e Berat Buzhalës drejtuar Shalës lidhur me atë se në listën e deputetëve a do të ketë kandidatë që janë në procese gjyqësore, përgjigja e Kujtim Shalës ka qenë e drejtpërdrejt “Orientimi ynë është për list të pastër”.
E një ditë para këtij debati saktësisht më datën 29 gusht ish-kryetari i Komunës së Suharekës, tashmë i nominuari për deputet nga dega e LDK-së në Suharekë, Sali Asllanaj gjendej në seancën gjyqësore ndaj tij, përballë gjykatësit në Gjykatën e Prizrenit nën aktakuzën “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, seancë kjo që ka dështuar në mungesë të dëshmitarëve.
Se Sali Asllanaj është i ngarkuar me aktakuza dhe në procese gjyqësore siç duket nuk e kanë penguar LDK-në në Suharekë për ti dhënë dritën jeshile që emri i tij të dërgohet në Këshillin qendror si kandidat nga Komuna e Suharekës.
Në bazë të statutit të LDK-së një anëtar gëzon të drejtën e kandidimit për deputet pasi që i njëjti futet në listën iniciale të degës dhe pas propozimit të kryesisë.
Shkeljet për çka është ngritur aktakuza ndaj ish-kryetarit Asllanaj i kishte gjetur edhe Zyra e Auditorit në vitin 2014 ku thuhet se: “Një pagesë prej 16,000€ i ishte bërë OJQ Kosova Hope bazuar në një marrëveshje mirëkuptimi që arrinte 61,000€ e cila ishte financuar nga komuna me 26,000€ dhe 35,000€ nga OJQ.
Pagesa prej 16,000€ ishte bërë në mungesë të faturave dhe dëshmive të duhura”. Kujtojmë se aktakuza ndaj Asllanajt ishte ngritur në nëntor të vitit 2018.
Gjithashtu Sali Asllanaj në vitin 2013 ishte gjykuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit për shpërdorim të detyrës zyrtare, ose autorizimit e që ka përfunduar me shpalljen e tij si i pafajshëm në mungesë të provave.