Ky proces do të nisë pas përfundimit të skanimit të listave të votuesve të nënshkruar në 2,533 vendvotime të rregullta, një proces i cili ka filluar të shtunën.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se aktualisht po kryhet verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës. “Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 22 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 60,997 pako, prej të cilave janë aprovuar 56,947 ndërkaq janë refuzuar 4,050,” ka deklaruar Elezi.
Arsyet e refuzimit të këtyre dërgesave përfshijnë:
- Dërgesa nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës.
- Mungesa e dëftesës së regjistrimit.
- Dërgesa më shumë se një herë.
- Dërgesa e më shumë se një fletëvotimi.
Procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 7,718 pako me fletëvotime.
Sipas të dhënave të KQZ-së, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600 ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike. Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërsa KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime nga votimi përmes postës.
Elezi ka informuar gjithashtu se numri i zarfeve me fletëvotime nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2,597 vota.