Një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë mbi 2 milionë euro për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të mbajtur ditën e hënë, u bë e ditur se një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,076,422 euro, pra 1 euro për votues të regjistruar.
Sipas vendimit të KQZ-së, kjo llogaritje është bërë në bazë të Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën zgjedhore, monitorimin dhe deklarimin financiar, duke u mbështetur gjithashtu në listën preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vend është 2,076,422.
Gjatë mbledhjes, KQZ miratoi edhe caktimin e afateve dhe planin e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Po ashtu, u miratua formula për anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, duke siguruar përbërjen e nevojshme për realizimin e procesit zgjedhor dhe administrimin korrekt të votimeve.
Ky vendim synon të garantojë transparencë financiare për subjektet politike dhe të sigurojë që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.