Nëse regjistroheni për të votuar jashtë Kosovës, largoheni nga lista e votuesve brenda vendit

para 19 dite

Të gjithë shtetasit e Kosovës që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës në Zgjedhjet për Kuvend, do të largohen nga lista e votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Nëse regjistroheni për të votuar jashtë Kosovës, largoheni nga lista e votuesve brenda vendit

Por, në rast se ndonjë prej tyre ndërron mendje edhe pasi është regjistruar si votues jashtë vendit dhe kërkon që të votojë fizikisht në vendvotimin e tij në Kosovë më 9 shkurt 2025, KQZ do t’ia mundësojë rikthimin në listën votuese brenda Kosovës deri më 27 dhjetor 2024.

Këto informacione i ka bërë të ditura për Ekonomia Online, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, derisa është duke vazhduar periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, e cila do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.

“Është detyrim ligjor për KQZ-në që secilin votues i cili regjistrohet për të votuar nga jashtë Kosovës, ta largojë nga Lista e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës. Këtë informacion ne ua transmetojmë individualisht çdo shtetasi që aplikon dhe regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, qoftë për të votuar në përfaqësi diplomatike apo përmes postës”, tha Elezi.

LEXO EDHE:  Mbi 13 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës

Më tej, sipas Elezit, KQZ i ka dhënë zgjidhje edhe rasteve kur ndonjë shtetas ndërron mendje edhe pasi është regjistruar dhe kërkon që të votojë fizikisht në vendvotimin e tij në Kosovë.

“Mund të ndodh që ndonjë shtetas i cili pasi është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës të kërkojë të çregjistrohet nga kjo mënyrë votimi dhe të kthehet në Listën Votuese brenda Kosovës për të votuar fizikisht në vendvotim. Kësaj situate, KQZ i ka dhënë zgjidhje me anë të Rregullores Zgjedhore për Votimin Jashtë Kosovës. Pra, votuesi i regjistruar për votim jashtë Kosovës, i cili kërkon të kthehet në listën votuese brenda Kosovës, ka kohë të paraqesë kërkesën e tij deri në 24 orë para përfundimit të periudhës së kundërshtimit, në këtë proces zgjedhor deri më 27 dhjetor 2024”, njoftoi Elezi.