Aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në diasporë kanë organizuar votime të kundërligjshme në Zvicër.

Votimi përmes postës është duke u keqpërdorur me të madhe, ku votimi përmes postës ka filluar më 19 shtator për të gjithë mërgimtarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës.

“Posta e Zvicres nuk deshton e as qe guxon te Gabon,keshtu qe tani me Istref Rudaj 248 vota i percolem,mire u pafshim ne Kosoven e LDK-së.!!!!”, ka shkruar aktivisti i LDK-së në Zvicër, Riza Smajli, para 16 orësh.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 89.3 dhe 89.4 askush nuk lejohet të votojë në emër të një votuesi tjetër, përpos atyre që janë me aftësi të kufizuara dhe që nuk janë në gjendje të shënojnë ose hedhin fletëvotimin dhe/ose janë analfabet. Vetëm këta mund të ndihmohen nga një person tjetër, sipas Kushtetutës, i zgjedhur nga votuesi nëse ai kërkon një ndihmë të tillë.

Ndërsa nëse bazohemi edhe në nenin 89.4 thuhet se secili votues duhet ta plotësojë fletëvotimin e vet mbrapa kabinës së votimit që domethënë në fshehtësi.

Prandaj neni 89.4 ka lënë të kuptojë se vetëm një person lejohet të hyjë mbrapa kabinës së votimit përgjatë një intervali të caktuar kohor, ndërkohë lejohet që nëse votuesi kërkon ndihmë nga personi tjetër, siç e përcakton edhe paragrafi 5 të këtij neni.

Kujtojmë që disa ditë më parë u publikua edhe një video ku shihen 3 persona duke mbushur rreth 50 fletëvotime për zgjedhjet e 6 tetorit.