LDK-ja me një listë të diversifikuar në Suharekë: Shala, Suka, Bytyçi dhe Kryeziu në garë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se qyteti i Suharekës ka dhënë mbështetjen e plotë për ndryshimet që partia e tij po propozon.
Deklarata e tij vjen pas një tubimi të mbajtur mbrëmë në Suharekë.
“Suhareka sonte u bë simboli i radhës i shpresës dhe përkushtimit për ndryshim! Rrjedha e pandalshme e njerëzve të vendosur, plot pasion dhe vullnet, që brohorisin njëzëri, po e karakterizon çdo ndalesë të Turneut të Ndryshimit, e sonte ky qytet e dëshmoi se është gati të bashkohet me ne në këtë rrugëtim frymëzyes”, theksoi Abdixhiku.
Gjatë tubimit, LDK-ja ka prezantuar edhe listën e kandidatëve të saj për deputetë nga Suhareka. Përveç doktorit Ardian Shala, në listë janë përfshirë edhe Urim Suka, Shemsije Bytyçi dhe Shaqir Kryeziu.
Abdixhiku ka shprehur mirënjohje për qytetarët e Suharekës për besimin e treguar ndaj LDK-së dhe ka theksuar se partia e tij do të punojë me përkushtim për të realizuar premtimet e dhëna.