Në listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti pritet të dominojnë edhe shumë ish-deputetë të legjislaturës së kaluar, të cilët synojnë ta marrin edhe një mandat. Ndërsa disa ish-deputetë janë penalizuar për ta kërkuar edhe një mandat tjetër për shkak të aktakuzave të konfirmuara nga gjykata.

Deri të premten e 6 shtatorit subjektet politike në Kosovë do të kenë mundësi t’i përpilojnë listat e kandidatëve për deputetë dhe t’i dorëzojnë ato në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por deri tash asnjëra prej subjekteve politike nuk i ka përfunduar këto lista, në të cilat shumica e deputetëve të legjislaturës që shkoi pritet të jenë pjesë e garës për deputetë në zgjedhjet e reja të 6 tetorit.

Shefi i Shtabit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, duke folur për “Zërin”, është shprehur se janë afër përmbylljes së listës së kandidatëve për deputetë. Por duke mos dhënë më shumë detaje se a do të ketë figura të reja në këtë listë, Haziri shtoi se gjithçka do të mësohet të premten.

“Jemi gati për ta përmbyllur listën kandiduese të ekipit të LDK-së për zgjedhjet e ardhshme. Nesër Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm do ta diskutojë dhe natyrisht që deri të premten do të përmbyllet gjithçka. Ne kemi një listë të gjatë të kandidaturave dhe besojmë që shumë shpejt do të bëhet publike”, ka thënë Haziri.

Sipas disa informacioneve jozyrtare, listës së LDK-së do t’i prijë kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani, por ndër numrat e parë pritet të jenë edhe Isa Mustafa, Avdullah Hoti e Kujtim Shala. Të mërkurën postin e përfaqësuesit të LDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ka lënë Florian Dushi pikërisht për të kandiduar për deputet nga radhët e kësaj partie. Ndërsa ish-deputeti Naser Osmani ka njoftuar se nuk do ta kërkojë edhe një mandat nga qytetarët për shkak të aktakuzës së tij, që është ngritur nga gjykata./ZERI/