Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherish edhe kandidat për Kryeministër të Kosovës nga radhët e kësaj partie, Albin Kurti ka thënë se VV do të miratojë ligjin e ri të punës.

Albin Kurti është zotuar se nën qeverisjen e ardhshme të drejtuar nga partia që ai drejton, do të ndryshojë qasja ndaj bizneseve për të mirë dhe do t’i jepet fund oligarkëve dhe tajkunëve.

“Me shtetin si rregullator e mirëmbajtës dhe jo dirigjues, do të ndryshojë qasja ndaj bizneseve për të mirë. Do të perëndojnë tajkunët e lindin ndërmarrësit inovativ, do të ulet importi dhe rritet eksporti”, tha ai.

Po ashtu, Kurti tha se: “Me qeverinë e Vetëvendosje!-s nuk do të ketë tajkun a oligarkë që e detyron punëtorin të marr pjesë në tubime të ndonjë subjekti politik dhe që ua kushtëzon pagën me votë”.

Kreu i VV-së është zotuar se gjatë qeverisjes së ardhshme, Lëvizja Vetëvendosje do të pesëfishojë numrin e inspektorëve të punës, do ta themelojë Gjykatën e Punës, si dhe do ta miratojë ligjin e ri të punës dhe organizimi sinidkal do të fuqizohet.

“Me qeverisjen tonë nuk mund të lejojmë që Peja të jetë e pasur me tajkunë e të falimentojnë zejet e artizanatet e mbi 1000 familje të varen nga skema e ndihmës sociale. Pas 6 tetorit, për punëtorët: punë, bukë e dinjitet. Për tajkunët, tatim mbi fitimin legjitim, dënim e konfiskim mbi atë jo legjitim”, ka thënë Kurti.