Kurti në Ferizaj: Ne ndërtojmë raporte me aleatët, siç është Amerika, dhe po blejmë raketa dhe do të blejmë helikopterë
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kandidatët për deputet të LVV-së, Listës Guxo dhe Alternativës, mbajti një tubim elektoral në qytetin e Ferizajt, ku kërkuan mbështetje për votën më 9 shkurt.
Po ashtu, ai ftoi edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kanë shtetësi të Kosovës të votojnë LVV-në.
Kurti theksoi se po e kthejnë prodhimin në ekonomi dhe po kontribuojnë në mirëqenien shoqërore. Sipas tij, shumë procese të drejtësisë ende duhet të zgjidhen, pasi, siç tha ai, nuk ka ende dënime për korrupsion.
“Me votën tuaj, para katër vjetësh, u formua qeveria e re me 500 mijë zemra, dhe me votën tuaj do të ndryshojë edhe drejtësia, sepse asnjë punë nuk ka lodhë më shumë se mosfunksionimi i drejtësisë. Qytetari ynë pret vite të tëra për një çështje nëpër gjykata, por nuk i vjen radha, ndërsa kriminelët lirohen brenda ditëve, sepse ua hoqën urdhër-arrestet,” tha ai.
Kurti shtoi se Bondsteel ka ndihmuar në punësim, por shumë prej atyre që kanë përfituar kanë shërbyer për SHBA-në.
“E dimë shumë mirë që Bill Clinton na ka dhënë një mesazh të fuqishëm, ai ka thënë: ‘Ne fituam luftën, ju fitoni paqen’. Luftën e fituam bashkë me intervenimin e NATO-s dhe heroizmin e UÇK-së. Nuk mund të kesh aleatë amerikanë dhe të vjedhësh vendin tënd. Amerika i do ferizajasit që paguajnë taksat… Me Amerikën je kur lidh Prizrenin me Tetovën… dhe pikërisht kështu është qeveria jonë. Ne ndërtojmë raporte me aleatët, siç është Amerika, dhe nga Amerika po blejmë raketa dhe do të blejmë edhe helikopterë, siç njihet ‘Skifteri i zi’.”
Hekuran Murati, para përkrahësve ferizajas, shpalosi punën katërvjeçare të qeverisë, duke nënvizuar se janë realizuar 654 milionë euro investime, mbështetje për bizneset dhe qytetarët.
“Te rinjtë që votojnë për herë të parë, të votojnë për një qeveri që punon për ta. Qeveria Kurti, për herë të parë, e ka mbështetur të riun me platformën ‘Super Puna’, dhe për gratë kemi ofruar shtesa për fëmijë dhe për gra lehona deri në 400 mijë. Familjet do të ndihen të barabarta. Secila grua, nënë ka arsye të dalë e të votojë për LVV-në më 9 shkurt,” tha Murati.
Ndërsa Albulena Haxhiu, kandidate për deputete nga LVV, theksoi se qeveria Kurti ka siguruar mbi 10 milionë euro për gratë, për subvencione të ndryshme dhe për shërbime shëndetësore falas.