Kryeministri Kurti nga Gjilani premton 1 miliardë euro investime çdo vit
Në tubimin elektoral të mbajtur këtë të hënë në Gjilan, Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët e koalicionit, Listën “Guxo” dhe “Alternativa”, kanë premtuar se pas 9 shkurtit do të vazhdojnë qeverisjen e vendit.
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se do të vazhdojë mbështetjen për çdo familje dhe se çdo vit do të ndajnë nga një miliard euro për investime kapitale.
Kurti gjithashtu është zotuar për përfundimin e autostradës së Gjilanit deri në Dheun e Bardhë dhe të stadiumit të qytetit. Ai ka premtuar se do të krijojë një grup pune që do të mbikëqyrë këto dy projekte, në mënyrë që të përfundojnë sa më shpejtë që është e mundur.
“Mandati i ardhshëm është mandat i hekurudhave,” tha Kurti, duke premtuar se do të fillojnë linjën e hekurudhave, duke i lidhur ato me autostradat.
Ai përmendi gjithashtu hapjen e terminalit doganor te Dheu i Bardhë dhe atij në Han të Elezit.
Në tubim u prezantuan edhe kandidatët për deputetë të këtij rajoni nga Vetëvendosje dhe partnerët në koalicion.