KQZ vendos – Votat e diasporës do të numërohen sipas komunave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që numërimi i votave të diasporës të bëhet në bazë të komunave të Republikës së Kosovës dhe jo sipas shteteve nga të cilat votojnë qytetarët. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së radhës së KQZ-së, pas diskutimeve lidhur me bazën ligjore dhe mundësitë teknike për organizimin e këtij procesi.
Foto: Ilustrim
Gjatë diskutimit, anëtari i KQZ-së dhe udhëheqësi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, Arianit Elshani, ka shprehur qëndrim ndryshe, duke theksuar se votat me postë do të duhej të numëroheshin sipas shteteve dhe jo komunave.
“Konsideroj që duke qenë një zonë zgjedhore, numërimi i votave me postë duhet të bëhet në bazë të shteteve prej nga votojnë qytetarët e Kosovës dhe jo në bazë të komunave të Kosovës”, ka deklaruar Elshani.
Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka sqaruar se ndryshimi i mënyrës së numërimit nuk është i mundur në këtë fazë të procesit, për shkak të bazës ligjore dhe kufizimeve teknike.
“Kjo çështje është diskutuar më herët dhe ne kemi marrë përgjigje nga departamenti përkatës. Sipas paragrafit 6 të nenit 18 të rregullores zgjedhore nr. 14/2024, zarfet me fletëvotime që aprovohen gjatë vlerësimit klasifikohen në kuti votimi sipas komunave të Republikës së Kosovës. Mbi këtë dispozitë është dizajnuar edhe platforma që përdorim në zgjedhjet lokale dhe që do ta përdorim edhe më 28 dhjetor. Ndryshimet në platformë në këtë fazë janë teknikisht të pamundura”, ka thënë Buzhala.
Ai ka shtuar se ndarja sipas shteteve do të ishte më funksionale, pasi do të zvogëlonte numrin e kutive të votimit, por theksoi se kjo nuk mund të realizohet në këtë proces zgjedhor.
Në të njëjtën mbledhje, KQZ ka miratuar edhe planin e konferencave për informimin e publikut mbi ecurinë e procesit të votimit për Zgjedhjet Lokale, si për votimin në përfaqësitë diplomatike më 27 dhjetor 2025, ashtu edhe për ditën e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës më 28 dhjetor 2025.
Konferencat për votimin në përfaqësitë diplomatike – 27 dhjetor 2025
- 09:00 – Konferenca e parë: Njoftim për fillimin e procesit të votimit
- 14:00 – Konferenca e dytë: Njoftim për pjesëmarrjen dhe ecurinë e votimit
- 20:00 – Konferenca e tretë: Njoftim për mbylljen e votimit në Evropë
- 01:00 – Njoftim për media: Përfundimi i votimit në përfaqësitë diplomatike
Konferencat për ditën e zgjedhjeve në Kosovë – 28 dhjetor 2025
- 08:00 – Konferenca e parë: Fillimi i procesit të votimit
- 11:30 – Konferenca e dytë: Pjesëmarrja deri në orën 11:00 dhe ecuria e procesit
- 15:30 – Konferenca e tretë: Pjesëmarrja deri në orën 15:00 dhe ecuria e procesit
- 19:30 – Konferenca e katërt: Përfundimi i votimit dhe fillimi i numërimit
- Konferenca e pestë – KQZ do të njoftojë me kohë për publikimin e rezultateve preliminare për kandidatët për Kryetarë të Komunave
KQZ ka theksuar se këto konferenca synojnë transparencë të plotë dhe informim të rregullt të publikut për çdo fazë të procesit zgjedhor.