KQZ shton dy vendvotime në Zvicër, në Bernë dhe Gjenevë për diasporën
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për miratimin e dy vendvotimeve shtesë në Qendrat e Votimit që ndodhen në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës në Bernë dhe Gjenevë, Zvicër.
Ndërkohë, në përfaqësinë diplomatike të Stokholmit, Suedi, është vendosur të hapet vetëm një vendvotim, nga dy të planifikuara më parë, për shkak të numrit të vogël të votuesve të regjistruar, që kapin shifrën prej 271 personash.
Pas këtyre vendimeve, procesi i votimit për zgjedhjet në diasporë do të zhvillohet në përgjithësi në 46 vendvotime, të cilat janë shpërndarë në 17 ambasada dhe 15 konsullata të Republikës së Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Votimi përmes Postës
Më 9 janar 2025, ka nisur periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të regjistruar si votues nga jashtë vendit. Kjo periudhë do të zgjasë deri më 8 shkurt 2025 dhe është e vlefshme vetëm për shtetasit që:
• Kanë përzgjedhur të dërgojnë fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, ose
• Kanë vendosur të dërgojnë fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Vendimi për Ekipet e Tërheqjes së Dërgesave Postare
Në vazhdimësi të mbledhjes, KQZ miratoi edhe ekipet e autorizuara për tërheqjen e dërgesave postare jashtë Kosovës, duke siguruar që procesi i votimit përmes postës të realizohet në mënyrë transparente dhe të sigurt.
Ky proces i organizuar nga KQZ synon të garantojë të drejtën e votës për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe të rrisë pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e ardhshme.