Vendimi, i marrë në mbledhjen e 6 marsit, ka nxitur reagime të ashpra nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndërsa partitë opozitare kanë argumentuar se rinumërimi do të vononte certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Sekretariati i KQZ-së kishte propozuar hapjen e 177 kutive të votimit, ku përfshiheshin 1.631 fletëvotime të shpallura të pavlefshme, pas një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). PZAP kishte urdhëruar KQZ-në të përfshinte në rezultatin zgjedhor 21 fletëvotime me postë, të cilat ishin shpallur gabimisht të pavlefshme për shkak të një gabimi teknik në printim.

Alban Krasniqi nga LVV e ka cilësuar “akt të turpshëm” votimin në KQZ, duke e konsideruar atë edhe si vepër penale. “Nuk ka akt më të rëndë sesa të jesh në duart e një anëtari të KQZ-së që të refuzojë një votim të vlefshëm. Kur e shikon këtë thellë, thellë, kjo është edhe vepër penale përveç se akt i turpshëm”, tha ai.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka argumentuar se hapja e kutive të votimit do të prolongonte shpalljen e rezultateve. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka sqaruar se refuzimi i rekomandimit nuk do të thotë se nuk do të respektohet vendimi i PZAP-it për 21 fletëvotimet e vlefshme. “Vendimi i PZAP-it ka të bëjë me 21 fletëvotime që i ka shpallur të vlefshme. Rekomandimi i Sekretariatit… ka ardhur t’i shikojë ato fletëvotime dhe ka hasur në shumë fletëvotime të njëjta dhe si pasojë e atij procesi, Sekretariati ka ardhur me një rekomandim që edhe ato fletëvotime të shpallen të vlefshme me qenë se gabimisht janë shpallur të pavlefshme. Dhe këtë mbledhje e kemi bërë lidhur me këtë rekomandim. Rekomandimi nuk kaloi, vendimi i PZAP-ës për 21 fletëvotime është i zbatueshëm dhe ajo është çështje tjetër”, tha Radoniqi.

Në vendimin e 3 marsit, PZAP-ja kishte miratuar ankesën e LVV-së për disa vota të shpallura të pavlefshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke konstatuar një gabim teknik në printimin e fletëvotimeve.

Në Kosovë, më 5 mars ka përfunduar numërimi i votave nga brenda dhe jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. KQZ-ja kishte miratuar më shumë se 63.000 pako me fletëvotime nga diaspora, e cila për herë të parë kishte mundësi të votonte fizikisht në disa ambasada dhe konsullata të Kosovës.

Tani, partitë politike dhe kandidatët kanë afat 48 orë për të parashtruar ankesa eventuale në PZAP dhe në Gjykatën Supreme.