Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka.
Në këtë mbledhje, u diskutua edhe lidhur me Votimin Përmes Postës, i cili ka filluar më 19 shtator. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë aplikuesit e regjistruar suksesshëm se Votimi Përmes Postës përfundon më 5 tetor.
Pra, fletëvotimet duhet të pranohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më së largu më 5 tetor 2019.
Në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 6 tetor 2019.
Sipas vendimit të KQZ-së, bazuar në listën përfundimtare të votuesve numri i votuesve është 1,937.868, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime, pra 136,068 apo 7.02% fletëvotime më pak se votues.
Deri më tani, nga 40 mijë e 313 aplikacione për regjistrim që janë pranuar dhe proceduar, janë aprovuar 35 mijë e 87 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 5 mijë e 226 aplikacione për shkak të mosplotësimit të kritereve të përcaktuara me ligj.