Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar fushatën zgjedhore në drejtim të Prizrenit, ku kandidati për Kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli si dhe kandidatët për deputetë kanë mbajtur tubim me qytetarë në Palestrën e Sporteve në Prizren, ka thënë se ka shumë entuziazëm te prizrenasit për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.
Kandidati për Kryeministër nga radhët e kësaj partie, Kadri Veseli nga Prizreni premtoi rritje të pensioneve deri në 80% të gjithë pensionistëve në Republikën e Kosovës.
Në këtë tubim prezent ishin shumë simpatizantë të PDK-së, ku para tyre Veseli tha se ky është një entuziazëm i njerëzve që e duan vendin e vet, qytetin e vet dhe e duan fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Oponentët tanë po çuditen pse kjo përkrahje për ne. Sepse, ne nuk flasim, por veprojmë dhe vendosim. Sepse, ne nuk shajmë, nuk ndajmë, por pajtojmë, afrojmë dhe bashkojmë. Ne jemi të vetmit që marrim vendime kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Jemi të vetmit që kemi projekte për Kosovën. Kjo është rruga e fitores, rruga e besimit për qytetarët tanë”, u shpreh Veseli.

Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka thënë se kushdo që është për ekonominë e dijes, për ndërmarrësinë dhe ekonominë prodhuese… kushdo që është për marrëdhënie të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, duhet të bëhet bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Unë do të punoj fuqishëm, do të jem përkrah çdo qytetari të vendit tim. Do të jem përkrah rinisë dhe e kam një mesazh për të rinjtë: kjo është toka jonë e shenjtë, ne duhet bashkërisht të jetojmë këtu, të krijojmë familje këtu, ky është vendi ynë. Do t’iu përkrah të gjithëve, secilin prej jush, të rinjtë, fermerët, bletarët, inovatorët, ndërmarrësit. Nuk do të ketë në qeverisjen time asnjë tatim të ri, por do të ketë përkrahje për të gjithë juve”, ka thënë ai.

Po ashtu, Veseli edhe njëherë ka përsëritur se më nuk do të ketë prona private ku qytetarët tanë jetojnë pa fleta poseduese. Veseli theksoi se brenda dy viteve do të bëhet legalizimi i të gjitha pronove pa fleta poseduese.
Në fund Kadri Veseli tha se: “Prizrenasit e dinë se fitorja e Partisë Demokratike është fitore e Kosovës. Por, kushdo që e do Kosovën, duhet ta dojë edhe Amerikën. Fitore!”.