Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku i bashkohet AAK-së
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po hyn e mobilizuar në fushën zgjedhore, duke u paraqitur me një përbërje të fortë politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Për herë të parë, partia e Ramush Haradinajt pritet të garojë me dy ish-kryeministra në listën e saj.
Përveç kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në zgjedhje do të hyjë edhe Agim Çeku, i cili do të jetë kandidat për deputet. Rikthimi i tij në garën elektorale po shihet si një lëvizje e rëndësishme për strukturën e partisë.
Agim Çeku – nga kryeministër në vitin 2006, në garë për Kuvend në 2025
Agim Çeku ka mbajtur postin e kryeministrit të Kosovës në vitin 2006. Më 2 mars të atij viti, pas dorëheqjes së Bajram Kosumit, AAK propozoi Çekun për këtë detyrë.
Me 65 vota për, 33 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi atë kryeministër, duke i besuar një prej posteve më të larta shtetërore një ushtaraku me karrierë të gjatë në shërbim të vendit.
AAK synon rritje të fuqishme në zgjedhjet e 28 dhjetorit
Duke hyrë në zgjedhje me dy figura të forta politike dhe të njohura publikisht, AAK synon të rrisë ndikimin e saj në Kuvend dhe të rikthehet si një ndër aktorët kryesorë të skenës politike.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të sjellin garë të ngushtë mes partive, ndërsa prania e dy ish-kryeministrave në një listë të vetme mbetet ndër zhvillimet më të komentuara të skenës politike ditëve të fundit.